Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) të martën tha se dhjetëra familje palestineze u zhvendosën pasi ushtria izraelite shënjestroi ndërtesa shumëkatëshe në qytetin e Gazës, në veri të Rripit të Gazës.
“Sulmet ndaj kullave banesore në Gaza kanë zhvendosur dhjetëra familje, shumë prej tyre mbetën në rrugë pa strehë dhe pa nevoja bazë,” tha UNRWA në rrjetin social X të kompanisë amerikane.
Të premten, ushtria izraelite filloi të bombardonte ndërtesa shumëkatëshe që strehojnë qindra civilë të zhvendosur në qytetin e Gazës, ndërsa Tel Avivi po shtynte përpara me planin për të pushtuar të gjithë qytetin.
Në sulmet e fundit, ushtria shënjestroi të hënën Kullën Salam dhe Kullën Al-Ruya në qytetin e Gazës, ndërtesa shumëkatëshe që strehojnë qindra palestinezë të zhvendosur.
Agjencia e OKB-së tha se kufizimet e vendosura nga ushtria izraelite për shpërndarjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës thellojnë “vuajtjet e personave tashmë të zhvendosur.”
“Ne kemi nevojë për armëpushim tani,” tha UNRWA.
Izraeli ka vrarë më shumë se 64.500 palestinezë në një ofensivë brutale në Gaza që nga tetori 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën dhe e ka çuar të gjithë popullsinë në uri të përgjithshme.
Në nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste për Netanyahun dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në këtë enklavë.