Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e ka certifikuar partinë më të madhe serbe në Kosovë, Listën Serbe, për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Lista Serbe nuk mori mbështetjen nga anëtarët e KQZ-së, respektivisht dy vota ishin pro certifikimit, dy kundër dhe shtatë abstenime.
Pro votuan kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, si dhe përfaqësuesja e Listës Serbe.
Dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër, ndërsa abstenimet ishin nga përfaqësuesit e partive të tjera.
Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, kundërshtuan certifikimin e kësaj partie duke publikuar dokumente që tregonin se kandidatë të Listës Serbe për kryetarë komunash apo asamblistë mbajnë pozicione në organet paralele të Serbisë në Kosovë.
Më herët, pas një takimi me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, e ngarkuara me punë në Ambasadën e ShBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, shprehu shqetësim për tendencat që, sipas saj, janë shfaqur me qëllimin që partive serbe t’u ndalohet pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Vitin e kaluar, Kurti ka deklaruar se Lista Serbe është pengesa më e madhe e integrimit të serbëve në Kosovë. Sipas tij, për aq kohë sa Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, i akuzuar për terrorizëm, nuk dorëzohet tek autoritet kosovare, Lista Serbe do të jetë krahu i Millan Radoiçiqit.
Vetëvendosje luftoi kundër certifikimit të Listës Serbe edhe për zgjedhjet parlamentare të shkurtit dhe KQZ-ja nuk e kishte certifikuar atë fillimisht. Megjithatë, pas ankesave në instanca më të larta, Lista Serbe u certifikua dhe mori pjesë në zgjedhje, duke i fituar nëntë ulëse në Kuvend.