TÜRKİYE
2 minuta leximi
Türkiye dënon ashpër zgjerimin e operacionit izraelit në Gaza
"Dënojmë në formën më të fuqishme vendimin e Izraelit për të zgjeruar operacionin e tij ushtarak në Gaza, i cili përbën një fazë të re të politikës ekspansioniste dhe gjenocidale në rajon”, thonë nga MPJ-a e Türkiyes.
Türkiye dënon ashpër zgjerimin e operacionit izraelit në Gaza
Türkiye dënon ashpër zgjerimin e operacionit izraelit në Gaza / TRT Balkan
10 orë më parë

Ministria e Punëve të Jashtme të Türkiyes ka reaguar në lidhje me vendimin e qeverisë izraelite për të zgjeruar operacionin e saj ushtarak në Rripin e Gazës. 

Në një deklaratë me shkrim nga Ministria vihet në dukje se çdo hap i ndërmarrë nga qeveria fundamentaliste e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të vazhduar gjenocidin kundër palestinezëve dhe për të zgjeruar pushtimin i jep goditje të rëndë paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, përkeqëson paqëndrueshmërinë rajonale dhe thellon më tej krizën humanitare.

"Dënojmë fuqishëm vendimin e Izraelit për të zgjeruar operacionin e tij ushtarak në Gaza, i cili përbën një fazë të re të politikës ekspansioniste dhe gjenocidale në rajon. Vendosja e paqes së qëndrueshme në rajonin tonë do të jetë e mundur vetëm përmes sundimit të së drejtës ndërkombëtare, diplomacisë dhe mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut", thuhet në deklaratë.

Më tej theksohet se "Izraeli pushtues duhet të ndalojë menjëherë planet e tij të luftës, të pranojë një armëpushim në Gaza dhe të fillojë negociatat drejt një zgjidhjeje me dy shtete".

"I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të përmbushë përgjegjësitë e tij për të parandaluar zbatimin e këtij vendimi, i cili synon të zhvendosë me forcë palestinezët nga toka e tyre duke e bërë Gazën të pabanueshme. I bëjmë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së të miratojë rezoluta detyruese që do të parandalojnë veprimet e Izraelit që shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe vlerat humanitare", thuhet në deklaratën e ministrisë.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us