LUFTA NË GAZA
3 minuta leximi
Mbi 800 sportistë të vrarë në Gaza mes gjenocidit dhe urisë nga Izraeli
Komuniteti sportiv në Gaza pëson humbje të mëdha në vitin e dytë të gjenocidit.
Mbi 800 sportistë të vrarë në Gaza mes gjenocidit dhe urisë nga Izraeli
Mbi 800 sportistë të vrarë në Gaza mes gjenocidit dhe urisë nga Izraeli / AA
një ditë më parë

Më shumë se 800 sportistë janë vrarë në Gaza që nga fillimi i ofensivës izraelite më 7 tetor 2023, ndërsa komuniteti sportiv vazhdon të vuajë nën bombardime, uri dhe kolaps të infrastrukturës, sipas zyrtarëve palestinezë.

Federata Palestineze e Futbollit (PFA) bëri të ditur se 421 futbollistë janë mes 808 sportistëve të vrarë në Gaza gjatë 22 muajve të fundit, pothuajse gjysma prej tyre fëmijë.

Viktima më e fundit ishte ish-lojtari i ekipit kombëtar palestinez të futbollit, Suleiman al-Obaid, i cili u vra të mërkurën ndërsa priste ndihmë humanitare.

 “Ish-lojtari i ekipit kombëtar, Suleiman al-Obaid, u martirizua gjatë një sulmi nga forcat pushtuese ndërsa priste ndihmë humanitare në Rripin e Gazës”, tha në një deklaratë Federata Palestineze e Futbollit.

Al-Obaid, 41 vjeç, lindur në Gaza dhe baba i pesë fëmijëve, konsiderohej një nga yjet më të shquar në historinë e futbollit palestinez. Ai luajti 24 ndeshje zyrtare për ekipin kombëtar dhe shënoi dy gola.

Që nga tetori 2023, numri i futbollistëve të vrarë ose të vdekur nga uria ka arritur në 421, përfshirë 103 fëmijë, sipas Federatës Palestineze të Futbollit.

Të paktën 61.158 palestinezë janë vrarë në luftën gjenocidale të Izraelit kundër Gazës që nga tetori 2023, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza. Ky numër përfshin të vrarët nga bombardimet ajrore, sulmet tokësore dhe të paktën 193 persona të vdekur nga uria për shkak të bllokadës izraelite.

Sulmi në vazhdim i Izraelit, tani në vitin e dytë të gjenocidit në Gaza ka shkatërruar plotësisht sportin palestinez. Sportistë, trajnerë dhe gjyqtarë janë vrarë, dhe qendra të tëra sportive janë bombarduar, djegur ose kthyer në varreza masive.

Rreth 90 për qind  e infrastrukturës sportive në Gaza raportohet se është shkatërruar.

Sipas Federatës palestineze, 288 objekte sportive janë shkatërruar pjesërisht ose plotësisht nga forcat izraelite në të gjithë Gazën dhe Bregun Perëndimor, përfshirë stadiume, palestra dhe klube futbolli. Ndër to ishte edhe selia e PFA-së, e goditur nga sulmet ajrore izraelite.

Nga këto objekte të shkatërruara, 268 ishin në Gaza dhe 20 në Bregun Perëndimor. Gjysma e tyre shërbenin ekskluzivisht për futbollin palestinez.

Përveç sulmeve, uria dhe kequshqyerja janë përkeqësuar në të gjithë Gazën, duke çuar në kolaps pothuajse të plotë të jetës sportive. Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se të paktën 193 persona kanë vdekur nga uria që nga fillimi i bllokadës.

Banorët e Gazës, përfshirë sportistët, po heqin dorë gjithnjë e më shumë nga aktivitetet sportive ndërsa përballen me bombardime, zhvendosje dhe rrezik në rritje nga uria.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us