LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
BE-ja: Situata humanitare në Gaza "shumë e vështirë" për shkak të bllokadës së zgjatur izraelite
Zëdhënësja e Komisionit Evropian thotë se autoritetet izraelite ende nuk lejojnë hyrjen e personelit të BE-së apo të kamionëve me ndihma.
BE-ja: Situata humanitare në Gaza "shumë e vështirë" për shkak të bllokadës së zgjatur izraelite
BE-ja: Situata humanitare në Gaza "shumë e vështirë" për shkak të bllokadës së zgjatur izraelite / AA
një ditë më parë

Bashkimi Evropian deklaroi të enjten se situata humanitare në Gaza vazhdon të jetë "shumë e vështirë", kryesisht për shkak të bllokadës së vazhdueshme izraelite, e cila pengon shpërndarjen e ndihmave thelbësore.

Duke folur në konferencën për shtyp të Komisionit Evropian, zëdhënësja Anna-Kaisa Itkonen tha se ndikimi humanitar në terren mbetet i rëndë dhe përkeqësohet më tej nga efektet kumulative të bllokadës.

“Ka një përparim të pjesshëm në lidhje me parametrat e ndryshëm që kemi përcaktuar për ndihmën humanitare”, tha Itkonen, duke iu referuar raporteve të fundit mbi kamionët me ndihma, pikat kufitare dhe qasjen në karburant.

“Ajo që mund të themi është se situata, padyshim, për të mos thënë më shumë, mbetet shumë shumë e vështirë për sa i përket ndikimit në terren, jo më pak për shkak të efektit të akumuluar të bllokadës”, shtoi ajo.

Zyrtarja theksoi se autoritetet izraelite ende nuk autorizojnë hyrjen e personelit të BE-së apo të kamionëve me ndihma në Gaza, duke e penguar bllokun evropian të verifikojë përmasën reale të dërgesave të ndihmave.

“Nuk kemi praninë tonë atje. Nuk kemi qasje. Prandaj mbështetemi te Kombet e Bashkuara për këtë informacion... Megjithë këtë përparim të pjesshëm, nuk jemi aty ku do të donim të ishim sa i përket numrit të kamionëve që arrijnë në destinacion”, u shpreh zëdhënsja.

Një tjetër zëdhënëse e Komisionit Evropian, Arianna Podesta, tha se BE-ja mbetet e përqendruar në mbështetjen e popullsisë civile dhe në shtytjen për të rritur qasjen humanitare në enklavën e rrethuar.

Izraeli po përballet me zemërim në rritje për shkak të luftës shkatërrimtare në Gaza, ku ka vrarë mbi 61.000 persona që nga tetori 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën dhe e ka çuar në prag të urisë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us