Organizata bamirëse mjekësore franceze Mjekët pa Kufij (MSF) ka deklaruar se shpërndarja e ushqimit nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), i mbështetur nga Izraeli, është "vrasje e orkestruar dhe dehumanizim".
MSF-ja akuzoi forcat izraelite dhe kontraktorët privatë amerikanë për ushtrim të qëllimshëm të dhunës dhe pa dallim kundër palestinezëve të uritur që përpiqen të marrin ushqim në pikat e operuara nga fondacioni GHF.
Organizata franceze e përshkroi GHF-në si një "përfaqësim izraelito-amerikan që ka militarizuar shpërndarjen e ushqimit" në Gaza.
I titulluar "Kjo nuk është ndihmë. Kjo është vrasje e orkestruar", raporti i MSF-së mbështetet në të dhëna mjekësore, dëshmi të pacientëve dhe vëzhgime të dorës së parë nga dy klinika të MSF-së të vendosura pranë pikave të shpërndarjes së GHF-së në Gazën jugore.
MSF-ja njoftoi se midis 7 qershorit dhe 24 korrikut, dy klinikat trajtuan 1.380 viktima të lidhura me dhunën pranë pikave të drejtuara nga GHF-ja, përfshirë 28 që u shpallën të vdekur pas mbërritjes.
Midis të trajtuarve ishin 71 fëmijë me plagë nga të shtënat me armë zjarri, 25 prej të cilëve ishin nën moshën 15 vjeç. Sipas MSF-së, shumë familje, duke u përballur me mungesa ekstreme ushqimore, shpesh dërgojnë djem adoleshentë në pikat e shpërndarjes, pasi zakonisht ata janë të vetmit meshkuj të aftë për punë në familje.
"MSF-ja bën thirrje për çmontimin e menjëhershëm të skemës së GHF-së dhe rivendosjen e mekanizmit të ofrimit të ndihmës së koordinuar nga OKB-ja, si dhe u bën thirrje qeverive, veçanërisht ShBA-së, si dhe donatorëve privat, të pezullojnë të gjithë mbështetjen financiare dhe politike për GHF-në, pikat e të cilës në thelb janë kurthe vdekjeprurëse", tha ajo.
Më 27 maj, Izraeli nisi iniciativën e shpërndarjes së ndihmave përmes GHF-së, duke anashkaluar OKB-në dhe agjencitë ndërkombëtare humanitare.