Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama reagoi sot në lidhje me protestën e mbajtur në Prishtinë, ku mijëra qytetarë, të thirrur nga përfaqësues të kategorive të dala nga lufta, kundërshtuan ndaj padrejtësive që, sipas tyre, po ushtrohen nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama publikoi foto nga protesta dhe kritikoi heshtjen e institucioneve të Kosovës, duke vënë në pikëpyetje mungesën e një qëndrimi zyrtar nga Kuvendi i Kosovës përmes një rezolute që do të mbronte të drejtat e të akuzuarve.
“Vazhdoj pyes veten pse Kuvendi i Kosovës nuk e ka ngritur ende zërin përmes një rezolute pa dallime partish, ku të rreshtohen sa e sa shkeljet faktike të normës elementare demokratike të procesit të rregullt ligjor nga ana e Tribunalit të Hagës, ku të drejtat e Hashim Thaçit e shokëve të tij të izoluar nga bota prej vitesh të tëra tanimë, janë shqelmuar si hiçasgjë?!”, shkroi Rama.
Ndërkaq, ai theksoi se, nëse qeveria e Kosovës do të miratonte një rezolutë e tillë, Shqipëria do të angazhohej menjëherë për ta mbështetur.
“Natyrisht që në rast se Kuvendi i Kosovës do ta bënte këtë rezolutë të vonuar, ne do ta angazhonim menjëherë Kuvendin e Shqipërisë, për ta votuar të njëjtin tekst dhe për ta përcjellë zërin e krejt shqiptarëve në çdo shtet demokratik që e sponsorizon Tribunalin, e që nuk duhet të tolerojë asnjë cenim e jo më asgjësimin e procesit të rregullt ligjor”, shtoi Kryeministri Rama.
Protesta në Prishtinë, e organizuar nga organizatat e dala nga lufta, u shoqërua me thirrje për drejtësi për të akuzuarit nga Gjykata Speciale, e cila u cilësua nga pjesëmarrësit si e njëanshme dhe selektive.