Kremlini njoftoi të mërkurën se një takim mes presidentit rus Vladimir Putin dhe të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, në Moskë ishte “i dobishëm dhe konstruktiv”.
“I dërguari i posaçëm i Presidentit të ShBA-së, Steven Witkoff, u prit nga Presidenti këtë mëngjes. Një bisedë shumë e dobishme dhe konstruktive u zhvillua”, u tha gazetarëve në kryeqytetin rus Yuri Ushakov, pas bisedimeve që, sipas agjencisë shtetërore RIA, zgjatën rreth tre orë.
Ushakov tha se të dy diskutuan për luftën e vazhdueshme në Ukrainë dhe për perspektivat e zhvillimit të bashkëpunimit strategjik ndërmjet Moskës dhe Uashingtonit.
Ai shtoi se pala ruse përcolli “disa sinjale” në lidhje me konfliktin, dhe se “sinjale përkatëse” u morën gjithashtu në emër të Trump.
Sipas tij, tani Putin është plotësisht i informuar mbi situatën aktuale.
“Trump ende nuk është informuar për rezultatet e këtij takimi. Prandaj, do të përmbahesha nga komentet më të detajuara”, tha zyrtari rus.
Witkoff mbërriti në Moskë më herët të mërkurën, në atë që është vizita e tij e pestë në Rusi që nga fillimi i vitit. Ai u takua për herë të fundit me Putinin më 25 prill.
Kjo vizitë e fundit vjen dy ditë para afatit 10-ditor të dhënë nga Trump për Rusinë, për të arritur një marrëveshje armëpushimi me Ukrainën.
Në qershor, Trump i dha Rusisë një afat 50-ditor, pas të cilit ai kërcënoi me vendosjen e tarifave doganore deri në 100 për qind ndaj Rusisë dhe partnerëve të saj tregtarë, nëse Moska dhe Kievi nuk arrijnë një marrëveshje paqeje.
Më 29 korrik, Trump deklaroi se kishte vendosur ta shkurtonte këtë afat në 10 ditë, për shkak të “zhgënjimit” të tij me Putinin.