Partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe, ka thënë se përjashtimi i tyre nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit të këtij viti është shembull i diskriminimit dhe inxhinierisë me të cilën kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kërkon parandalimin e pjesëmarrjes së tyre.
Në një reagim pas vendimit të anëtarëve të KQZ-së që kjo parti të mbetet jashtë zgjedhjeve, Lista Serbe tha se Kurti në të njëjtën kohë me përjashtimin e saj, favorizon parti kuazi-serbe, të afërta me të.
Lista Serbe theksoi se kandidatët e tyre nuk janë certifikuar përkundër se i kanë përmbushur të gjitha kërkesat ligjore të kërkuara nga KQZ-ja.
“Kjo sjellje përfaqëson një goditje të rëndë ndaj sundimit të ligjit dhe është provë se bashkësia ndërkombëtare, edhe pas më shumë se dy dekadash, nuk ka arritur të krijojë një sistem të drejtë dhe demokratik dhe se thirrjet e saj drejtuar Kurtit për të respektuar ligjin dhe të drejtat e popullit serb nuk merren absolutisht seriozisht, gjë që, ne besojmë, duhet të jetë një thirrje për reagimin e tyre serioz”, tha Lista Serbe.
KQZ-ja më 21 gusht nuk e certifikoi Listën Serbe pasi dy vota të anëtarëve të institucionit zgjedhor ishin pro certifikimit, dy kundër dhe shtatë abstenime.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se mos certifikimi i Listës Serbe në mbledhjen e djeshme të KQZ-së përbën një fitore të rëndësishme për demokracinë. Ajo tha se Lista Serbe ka dëshmuar se është dorë e zgjatur e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Më herët, pas një takimi me Kurtin, e ngarkuara me punë në Ambasadën e ShBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, shprehu shqetësim për tendencat që, sipas saj, janë shfaqur me qëllimin që partive serbe t’u ndalohet pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Vitin e kaluar, Kurti ka deklaruar se Lista Serbe është pengesa më e madhe e integrimit të serbëve në Kosovë. Sipas tij, për aq kohë sa Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, i akuzuar për terrorizëm, nuk dorëzohet tek autoritet kosovare, Lista Serbe do të jetë krahu i Milan Radoiçiqit.
Vetëvendosje luftoi kundër certifikimit të Listës Serbe edhe për zgjedhjet parlamentare të shkurtit dhe KQZ-ja nuk e kishte certifikuar atë fillimisht. Megjithatë, pas ankesave në instanca më të larta, Lista Serbe u certifikua dhe mori pjesë në zgjedhje, duke i fituar nëntë ulëse në Kuvend.