Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova është gati të jetë pjesë e Bashkimit Evropian (BE).
Në intervistën e saj dhënë për televizionin polak "TVP World" gjatë vizitës së saj në Austri, Osmani tha se Kosova është në linjë me BE-në dhe ajo është gati që t'i bashkohet BE-së me 97 për qind apo ndoshta edhe 100 për qind.
"Kjo është një pyetje e vështirë për t'u përgjigjur me vite. Por, në term të shpirtit tonë evropian dhe vullnetit politik dhe qytetar, jemi gati 97 për qind apo edhe 100 për qind për shkak se kemi një shtet që është në aleancë të plotë me BE-në", thotë Osmani.
Ajo tha se Kosova ka bërë reforma ekonomike, reforma në të drejtat e njeriut dhe në fusha të tjera.
"Pra, kur është fjala për vlera ne jemi shumë afër, por kur është fjala për politikë dhe procedura jemi ende larg, sepse e dimë që janë edhe pesë shtete të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën", theksoi Osmani.
Ajo shton se kriteret për t’u bërë pjesë e BE-së nuk janë të njëjta për të gjitha shtetet, duke përmendur këtu Serbinë fqinje, e cila nuk ka sanksionuar Rusinë në luftën e saj kundër Ukrainës.