Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ftuar studentët të cilët prej nëntë muajsh shprehin pakënaqësinë e tyre me gjendjen në vend përmes bllokadave, në një bisedë publike.
Vuçiq në një video të publikuar të premten në llogarinë e tij në Instagram "buducnostsrbijeav", ftoi përfaqësuesit e, siç i quajti ai, "lëvizjes studentore-bllokuese në një debat që do të mbahej publikisht, para të gjitha kamerave".
Ai theksoi se Serbia duhet t’i zgjidhë problemet e saj "përmes dialogut demokratik, e jo me dhunë".
"Ftoj përfaqësuesit e lëvizjes bllokuese në bisedë dhe debat publik mbi vizionet, që të flasim për planet dhe programet tona për të ardhmen dhe të dënojmë të gjithë së bashku dhunën në rrugët tona", tha Vuçiq.
Ai shtoi se "rivendosja e dialogut" në Serbi është me "rëndësi vendimtare" dhe se askujt në vend nuk i duhen konflikte apo "çfarëdo lloj lufte civile".
"Propozoj dhe ofroj bisedë e debat në të gjitha televizionet tona, në të gjitha portalet tona, me përfaqësues legjitimë, pra me ata që ata i zgjedhin. Kur e them këtë, mendoj përfaqësuesit e lëvizjes studentore-bllokuese", tha Vuçiq, duke shtuar se ata që mendojnë ndryshe "kanë të drejtë ta kërkojnë këtë nga presidenti i tyre, duke përfshirë edhe zgjedhjet dhe çdo gjë tjetër".