Partia serbe në Kosovë, Lista Serbe, ka paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), me rastin e moscertifikimit të tyre nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ditën e djeshme.
Lista serbe e ka quajtur vendimin, lëvizje të paligjshme dhe diskriminiese të kryeministrit në detyrë Albin Kurti.
Forca më e madhe politike e serbëve të Kosovës, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, pohoi se e ka ankimuar këtë vendim.
Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, në një konferencë për media ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se vendimi u mor për shkak të interesave të tij.
"Është e qartë se Kurti dhe anëtari i tij në KQZ, para së gjithash mendoj për Alban Krasniqin, bashkëshortin e (ministres në detyrë të Drejtësisë) Albulena Haxhiut, nuk mund t'ia falin Listës Serbe faktin që ajo nuk u zgjodh në pozitën e kryetares së Kuvendit të Kosovës", tha ai.
Ellek tha se do t'i ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore që janë të nevojshme, me qëllim që para së gjithash ta sigurojnë certifikimin e të gjithë kandidatëve, si për kryetarë komunash, ashtu edhe për asamblistë.
Igor Simiq nga Lista Serbe ka shtuar se ankesa ndaj vendimit të KQZ-së është shkruar dhe se do t'i dërgohet PZAP-it.
"Bashkë me ankesën do t'i bashkëngjisim të gjitha dëshmitë që flasin në favor të faktit se kandidatët e Listës Serbe për kryetarë komunash dhe asamblistë i kanë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për t'u vendosur në fletëvotimet në të cilat qytetarët do të votojnë në tetor të këtij viti", tha Simiq.
Për certifikimin e Listës Serbe votuan vetëm anëtarja e kësaj partie, Gordana Llaban, dhe kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, ndërsa abstenimet ishin nga përfaqësuesit e partive të tjera.
PZAP-i e kishte rrëzuar një vendim të ngjashëm të KQZ-së për zgjedhjet parlamentare, duke ia mundësuar Listës Serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet e 9 shkurtit.