RAJONI
3 minuta leximi
Policia e Shqipërisë me plan masash për vitin e ri shkollor
Drejtori i Rendit Publik ftoi çdo qytetar që për çdo dyshim apo konstatim që cenon jetën, shëndetin dhe procesin mësimor të nxënësve të denoncojë menjëherë në numrin pa pagesë 112.
Policia e Shqipërisë me plan masash për vitin e ri shkollor
Policia e Shqipërisë me plan masash për vitin e ri shkollor / AA
5 Shtator 2025

Policia e Shtetit në Shqipëri ka marrë masat me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike në institucionet arsimore publike dhe jopublike, me rastin e fillimit të vitit shkollor 2025/26 dhe në vazhdim.

Drejtori i Rendit Publik, Agron Çeli, u shpreh sot në një deklaratë për median se strukturat e shtetit do të intensifikojnë punën e tyre në marrjen e informacioneve që nxisin veprimtari të mundshme kriminale, si brenda dhe jashtë institucioneve arsimore, do të kryejnë identifikimin dhe ndëshkimin e personave me këto tendenca, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale, të cilat cenojnë sigurinë dhe mbarëvajtjen normale të aktivitetit në këto institucione.

“Në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor, AKU-në dhe pushtetin vendor do të punohet për mbylljen apo largimin e lokaleve të tregtisë dhe pikave ambulante të shitjes që tregojnë pije alkoolike, produkte ushqimore të skaduara pranë shkollave, të cilat jo rrallë herë shërbejnë dhe si pika të grumbullimit të shtetasve me precedent kriminal, përdoruesve të pijeve alkoolike dhe lëndëve narkotike, si dhe burim rreziku për prishjet e rendit publik apo veprimtari të tjerë të dhunshëm ndaj personelit mësimdhënës dhe nxënësve të shkollave”, deklaroi Drejtori i Rendit Publik të Shqipërisë.

“Në rastet e njoftimeve të rreme që shkaktojnë panik tek nxënësit dhe stafet pedagogjike, strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me prokuroritë përkatëse do të  punojnë për zbulimin, identifikimin e telefonuesve dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore”, theksoi Drejtori i Rendit Publik të Shqipërisë.

Njëkohësisht, shtoi Çeli, “në zbatim të programit për reduktimin e drogave, duhanit dhe alkoolit në shkolla, specialistët e policimit në komunitet do të vijojnë t’i japin orë mësimore në shkollat nëntëvjeçare. Specialistët për krime në volum dhe ndihmës specialistë e policisë në komunitet do të marrim pjesë në takimet që zhvillohen në shkolla, si takimet e bordit të prindërve, senatit të nxënësve e të tjerë duke diskutuar dhe trajtuar problemet apo shqetësimet që lidhen me sigurinë publike në këto institucione”.

Në fjalën e tij, Çeli parashtroi marrjen në konsideratë të çdo informacioni që lidhet me prishjen e rendit dhe kryerjen e veprimtarive kriminale. Po ashtu bullizmin, dhe mosmarrëveshjet e mundshme me shtetas jashtë institucioneve arsimore, duke theksuar se autorët do të vihen përpara përgjegjësisë ligjore.

“Urojmë nxënësit e shkollave nëntëvjeçare dhe të mesme suksese në këtë vit të ri shkollor. Policia është pranë jush, mos nguroni të bashkëpunoni dhe të bisedoni me punonjësit e policisë për çdo shqetësim tuaj”, deklaroi Çeli.

Drejtori i Rendit Publik të Shqipërisë ftoi çdo qytetar që për çdo dyshim apo konstatim që cënon jetën, shëndetin dhe procesin mësimor të nxënësve të denoncojë menjëherë në numrin pa pagesë 112.



BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us