RAJONI
3 minuta leximi
MPJ-ja e Bosnjë e Hercegovinës i dërgon notë proteste Hungarisë për pritjen e Dodikut
Në notë është theksuar se Dodik është paraqitur gabimisht si president i entitetit të RS-së, megjithëse mandati i është hequr për shkak të një vendimi të formës së prerë të Gjykatës së BeH-së.
MPJ-ja e Bosnjë e Hercegovinës i dërgon notë proteste Hungarisë për pritjen e Dodikut
MPJ-ja e Bosnjë e Hercegovinës i dërgon notë proteste Hungarisë për pritjen e Dodikut / AA
5 Shtator 2025

Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnjë e Hercegovinës i ka dërguar notë proteste Qeverisë së Hungarisë, pasi dje ata pritën Millorad Dodikun në cilësinë e presidentit të entitetit të Republikës Sërpska (RS), pavarësisht se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i BeH (KQZ) së fundmi ia kishte hequr mandatin për shkak të një vendimi gjyqësor të formës së prerë, sipas të cilit ai është dënuar me një vit burg dhe gjashtë vite ndalim të veprimtarisë politike.

Dodik dje qëndroi në Budapest, ku u takua me ministrin e jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, në cilësinë e presidentit të RS-së.

Në notën e protestës, Ministria e Punëve të Jashtme e BeH-së theksoi se Hungaria priti një person të dënuar me vendim gjykate, i cili nuk ushtron më asnjë funksion në institucionet e pushtetit në BeH, përveçse është kryetar i partisë SNSD.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnjë e Hercegovinës shpreh protestën më të ashpër lidhur me deklaratat publike të djeshme të ministrit të Jashtëm dhe Tregtisë së Hungarisë, Peter Szijjarto, si dhe për pritjen zyrtare të shtetasit të Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik, të cilit KQZ-ja e Bosnjë e Hercegovinës i ka hequr mandatin e presidentit të entitetit Republika Sërpska. Në deklaratat e tij, ministri Szijjarto e paraqiti gabimisht Millorad Dodikun si president të entitetit, ndonëse ai, sipas vendimeve të institucioneve kompetente të BeH-së, nuk ka asnjë mandat zyrtar në pushtetin ekzekutiv të vendit,” thuhet në notë.

Në dokument theksohet gjithashtu se Dodik, në një paraqitje publike në prani të Szijjartos, ka propaganduar shkëputje dhe ka kërcënuar integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës, ndërsa mungoi reagimi nga ministri hungarez.

MPJ-ja e BeH-së thekson se këto deklarata publike, si dhe pritja zyrtare e Szijjartos, bien ndesh me parimet themelore të respektit reciprok dhe praktikës ndërkombëtare diplomatike, duke i konsideruar ato fyese për qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës.

Sipas MPJ-së, komentet e ministrit hungarez tregojnë mosrespektim të vendimeve institucionale dhe legjislacionit të BeH-së, duke kontribuar në krijimin e një atmosfere mosbesimi ndaj qëllimeve politike të Hungarisë.

Kujtojmë se gjatë takimit të djeshëm në Budapest, ministri Szijjarto sërish konfirmoi mbështetjen për Millorad Dodikun, politikanin e dënuar, të cilit KQZ-ja i ka hequr mandatin e presidentit të RS-së.

“Evropa po përballet me një krizë serioze sigurie, me një luftë që zgjat mbi tre vjet e gjysmë. Gjëja e fundit që na duhet tani është një krizë tjetër në Ballkanin Perëndimor,” tha Szijjarto duke qëndruar pranë Dodikut.

Ai theksoi se Hungaria, si vend fqinj, ka interes jetik për paqe, stabilitet dhe siguri rajonale, duke mbështetur integrimin në BE, programet e zhvillimit ekonomik dhe bursat për forcimin e lidhjeve.

Szijjarto kritikoi ashpër politikanët perëndimorë, të cilët sipas tij “me përçmim, ligjërata, kërcënime dhe sanksione, përpiqen të minojnë liderët sovranë”.

“Ndërhyrjet e jashtme gjithmonë kanë sjellë destabilitet, trazira dhe situata të rrezikshme në Ballkanin Perëndimor,” paralajmëroi ai, duke shtuar se “Hungaria, përkundrazi, respekton sovranitetin dhe legjitimitetin e liderëve të zgjedhur nga qytetarët e tyre, përfshirë Milorad Dodikun”.

Në fund të gushtit, KQZ-ja vendosi që zgjedhjet e parakohshme për presidentin e RS-së të mbahen më 23 nëntor, pasi mandati i Millorad Dodikut u anulua për shkak të vendimit gjyqësor të formës së prerë.

Sipas vendimit, për president të RS-së mund të kandidojnë vetëm kandidatët me përkatësi kombëtare serbe. Mandati i presidentit të zgjedhur në këto zgjedhje do të zgjasë deri në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2026, kur do të zgjidhet presidenti i ri i RS-së për një mandat të ri katërvjeçar.

Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us