Instituti i Statistikave i Shqipërisë ka publikuar të dhënat më të fundit mbi numrin e lindjeve sipas qarqeve, duke treguar një rënie të ndjeshme nga viti 2021 në vitin 2024. Fenomeni prek të gjitha trevat e vendit, por veçanërisht alarmante paraqitet situata në disa qarqe që dikur njiheshin për traditat familjare dhe popullsinë e re në moshë.
Sipas shifrave, në Dibër numri i lindjeve ka rënë nga 1.469 në vitin 2021, në vetëm 1.095 në vitin 2024, duke regjistruar një tkurrje me mbi 370 lindje më pak brenda tre viteve. Edhe Korça shënon një rënie drastike, nga 1 647 lindje në vitin 2021 në vetëm 1.181 në vitin 2024. Ndërsa Shkodra, një nga qytetet më të mëdha në veri të Shqipërisë, ka zbritur nga 1.894 lindje në vitin 2021 në 1.509 lindje në vitin 2024.
Një situatë e ngjashme shihet edhe në qarqe të tjera:
Berati nga 1.050 në 798 lindje,
Elbasani nga 2.392 në 2.009,
Fieri nga 2.377 në 1.953,
Gjirokastra nga 451 në vetëm 336 lindje,
Kukësi nga 902 në 707,
Lezha nga 1.302 në 1.021,
Vlora nga 1.229 në 1.076.
Madje edhe Tirana, kryeqyteti dhe qarku më i populluar, ka shënuar ulje nga 9.437 lindje në vitin 2021 në 9.006 lindje në vitin 2024.
Ekspertët e demografisë e cilësojnë këtë tendencë si një alarm kombëtar, pasi tkurrja e lindshmërisë rrezikon të sjellë pasoja të mëdha afatgjata, përfshirë plakjen e popullsisë, boshatisjen e zonave të tëra dhe vështirësimin e zhvillimit ekonomik. Nëse trendi vazhdon me këtë ritëm, qytete me histori e tradita si Shkodra, Dibra dhe Korça rrezikojnë të mbeten vetëm toponime në të ardhmen.