RAJONI
3 minuta leximi
Kosovë, opozita akuzon Vetëvendosjen se po e bllokon konstituimin e Kuvendit
Kreu i PDK-së Memli Krasniqi tha se deputetët e partisë së tij do të votojnë për kryeparlamentar vetëm ndonjë deputet/e që nuk ka qenë pjesë e Qeverisë Kurti.
Kosovë, opozita akuzon Vetëvendosjen se po e bllokon konstituimin e Kuvendit
Kosovë, opozita akuzon Vetëvendosjen se po e bllokon konstituimin e Kuvendit / AA
18 orë më parë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), pas dështimit të emërimit të kryetarit të Kuvendit, kanë deklaruar se partia e parë, Lëvizja Vetëvendosje, qëllimisht po e bllokon konstituimin e institucionit legjislativ.

Në një deklarim pas seancës ku dështuan të emërohen kryetare të Kuvendit dy propozimet e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se deputetët e partisë së tij do të votojnë për kryeparlamentar vetëm ndonjë deputet/e që nuk ka qenë pjesë e Qeverisë Kurti.

"Ne erdhëm sot me shpresën se Lëvizja Vetëvendosje do të rezonojë arsyeshëm dhe do të propozojë kandidat që do të votohej. Megjithatë, ata dolën me dy propozime ndryshe nga herët e kaluara kur kanë propozuar vetëm një. Nuk e di me çfarë logjike e mbylli Dehari seancën, kanë mundur t'i propozojnë edhe të tjerët sot. Megjithatë, mund të themi se kemi një rikthim nga pika që nuk është dashur të largohemi asnjëherë", ka thënë ai.

Deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka interes për ta konstituuar Kuvendin.

Sipas Bajramit, Lëvizja Vetëvendosje e ka ditur që të dyja kandidatet, edhe Haxhiu edhe Gërvalla, nuk do të merrnin votën e deputetëve.

"Është fatkeqësi që ne sot nuk kemi institucione. Zyrat e Qeverisë janë të uzurpuara nga njerëz që u ka kaluar mandati. Ne i bëjmë thirrje Prokurorisë Speciale të merret seriozisht me 17 kallëzime penale që ne i kemi dorëzuar", tha ajo.

Deputetja e AAK-së Time Kadrijaj ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje me propozimin e Donika Gërvallës, pas Albulena Haxhiut, qëllimshëm po "propozon figura që nuk votohen". Ajo tha se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, do të duhej ta niste seancën me një kërkim falje për shkak se shkeli Kushtetutën.

"Kushtetuesja konstatoi atë që e kemi thënë në vazhdimësi. Ata e kanë ditë që Haxhiu nuk ka votë, sërish e propozuan. Ne i kemi ofruar alternativat që nuk i kanë pranuar dhe qëllimshëm po propozojnë kandidatë që nuk e marrin shumicën e votave", ka thënë ajo.

Pas deklaratave të përfaqësuesve të partive në opozitë, ministri në detyrë i Financave, i Punës dhe i Transfereve, Hekuran Murati, tha se në seancën e sotme u vërtetua se në Kosovë janë dy blloqe, njëri me 57 vota që ka dalë nga votat e popullit dhe blloku tjetër, LDK, PDK, AAK, Lista Serbe dhe disa deputetë në mes, që e duan ta bllokojnë Kuvendin.

"Kur ne propozuam Albulena Haxhiun na thanë që nuk e votojmë atë. Sot kur u ndryshua kandidati sërish është situatë identike. Kjo është dëshmi që kemi të bëjmë me taktika bllokuese. Qëllimi i tyre është që ta kthejnë një qeverisje të vitit 2019 kur ka qenë edhe Lista Serbe në Qeveri", ka thënë ai.

Murati ka thënë se partitë që deri në këtë legjislaturë ishin opozitë janë kundër secilit kandidat të VV-së por nuk deklarohen kundër nënkryetarit kandidat të Listës Serbe. Ai beson se po të ishte mundësuar votimi i fshehtë në Kuvend, njëra nga kandidatet e Lëvizjes Vetëvendosje do të ishte votuar.

Në seancën e parë pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, Lëvizja Vetëvendosje propozoi Albulena Haxhiun dhe Donika Gërvallën për kryetare të Kuvendit, por që të dyja morën vetëm 57 vota nga 61 sa duhen për emërim në këtë pozitë.

Seanca u shty për 22 gusht në orën 11:00.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us