Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile së Shqipërisë ka dhënë përditësime lidhur me situatën e zjarrreve në vend.
Gjatë orëve të fundit janë evidentuar 19 vatra zjarri, nga të cilat 3 mbeten ende aktive.
Sipas Agjencisë, në malin mbi fshatin Dhivër, bashkia Finiq vazhdon zjarri në një sipërfaqe pyjore në lartësi, ndërsa në terren po operojnë 10 mjete të shërbimit zjarrfikës të Finiqit, Sarandës, Delvinës, Konispolit, Gjirokastrës, Himarës dhe rreth 120 forca operacionale të mbështetura nga ajri si dhe nga efektivë të Forcave të Armatosura.
Në fshatin Lofkënd, bashkia Mallakastër, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me pisha, ndërsa në terren janë dislokuar 11 automjete zjarrfikëse, ndër të cilat 2 të FA si dhe 130 forca nga të gjitha strukturat operacionale, me mbështetje edhe nga ajri, të cilët po punojnë edhe sot për izolimin e plotë të tij.
Në fshatin Vjollcë, bashkia Mirditë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me pyll pishe dhe shkurre. Është punuar deri në orët e vona nga shërbimi vendor i MZSH-së, shërbimi pyjor dhe vullnetarë të zonës, pa mundur ta izolojnë vatrën. Nuk ka rrezik për banesat.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar: 48 automjete zjarrfikëse dhe 445 forca operacionale, 9 automjete të rënda, të ndihmuar nga FA me 73 forca ushtarake, 8 automjete zjarrfikëse me ekuipazh dhe mbështetje nga ajri, si dhe dy avionë suedezë të aktivizuar në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile.
AKMC-ja u drejtohet sërish banorëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të raportojnë çdo vatër të mundshme.