Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, nga Forumi Strategjik i Bledit në Slloveni, tha se Evropa duhet të rikthejë vetëbesimin në vlerat që përfaqëson dhe në të ardhmen e saj prosperuese.
Në një panel, në kuadër të forumit me moton “Bota që po i shpëton kontrollit”, ku morën pjesë presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, presidenti i Estonisë, Alar Karis, dhe presidenti i Çekisë, Petr Pavel, ai u shpreh se në një botë që po bëhet gjithnjë e më sfiduese, Evropa duhet të mbetet besnike ndaj politikës që sjell rezultate dhe kjo është politika e zgjerimit.
Si president i Malit të Zi, vendi kandidat më i avancuar, Millatoviq theksoi se anëtarësimi i Malit të Zi në BE nuk është vetëm një histori për Malin e Zi.
“Kjo do të ishte një shenjë pozitive, një mesazh për pjesën tjetër të rajonit se zgjerimi është i mundur dhe se Evropa ende di si t’i zgjidhë sfidat e veta”, tha Milatoviq.
Këtë vit shënohet 20-vjetori i Forumit Strategjik të Bledit, një konferencë ndërkombëtare në Evropën Qendrore dhe Juglindore që mbledh liderë botërorë nga fusha të ndryshme për dialog strategjik në nivel të lartë.