Kina dënoi sulmin e Izraelit drejt gazetarëve dhe vrasjen e tyre në enklavën e rrethuar palestineze të Gazës.
“Jemi të tronditur që dëgjojmë sërish se korrespondentë kanë humbur tragjikisht jetën në konflikt (të hënën) dhe e dënojmë sulmin”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Guo Jiakun, para gazetarëve në Pekin.
Ai reagoi ndaj sulmit izraelit mbi Kompleksin Mjekësor Nasser në Khan Younis, në jug të Gazës, ku të paktën 47 palestinezë, përfshirë gjashtë gazetarë, u vranë të hënën, duke shkaktuar reagime të ashpra në mbarë botën.
“Ne i vajtojmë jetët e humbura dhe shprehim ngushëllimet për familjet e viktimave”, tha Guo. “Kina po ndjek nga afër zhvillimet në Gaza”.
Humbjet e reja mes gazetarëve në Gaza e çuan në 246 numrin e gazetarëve palestinezë të vrarë nga sulmet izraelite që nga tetori 2023.
Izraeli ka vrarë më shumë gazetarë se çdo konflikt tjetër në botë kohët e fundit.
Shoqata e Shtypit të Huaj e dënoi sulmin më të fundit izraelit, duke shprehur “indinjatë” dhe “tronditje”.
Duke e përshkruar si “sulmin më vdekjeprurës të Izraelit ndaj gazetarëve që punojnë për median ndërkombëtare që nga fillimi i luftës në Gaza”, shoqata tha se “sulmet goditën shkallët e jashtme të spitalit, ku gazetarët shpesh pozicionoheshin me kamerat e tyre. Sulmet ndodhën pa asnjë paralajmërim.”
“Ne kërkojmë një shpjegim të menjëhershëm nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit dhe Zyra e Kryeministrit izraelit,” theksoi shoqata, duke i bërë thirrje Izraelit të “ndalojë praktikën e tij të neveritshme të shënjestrimit të gazetarëve.”
Që nga tetori 2023, Izraeli ka vrarë mbi 62.700 palestinezë në Gaza. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën, e cila po përballet me uri masive.