Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro deklaroi sot se “në periudhën janar-gusht 2025 Shqipëria ka mirëpritur rreth 9 milionë vizitorë të huaj, rreth 500 mijë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2024”.
Sipas fjalës së Ministres Kumbaro, vetëm në muajin gusht, Shqipëria ka pritur 2,38 milionë vizitorë, ose 200 mijë më shumë se muaji gusht i vitit të kaluar.
“Janë flukse që tregojnë konsolidim të tregjeve tradicionale, përfshirë edhe vizitorët nga Kosova, që përkundër debateve shterpë të verës, vijojnë të jenë besnikë gjithëvjetorë të turizmit shqiptar. Edhe gushti tregoi një rritje të lehtë krahasuar edhe me vitin 2024 apo tregje të tjera si Italia, që është kthyer në tregun e dytë më të madh të vizitorëve në Shqipëri”, theksoi Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit.
“Teksa rritemi ndjeshëm në tregje të reja që s’kanë qenë tradicionale për turizmin shqiptar, siç janë Gjermania me një rritje gati 21%, Franca me 44%, Holanda që vijon të rritet nga viti në vit, Anglia, Belgjika, Shtetet e Bashkuara e deri në tregjet aziatike, si Kina me 28% më shumë se viti i kaluar” u shpreh Ministrja Kumbaro.
Ndërkaq, Ministrja Kumbaro foli edhe për aplikacionin shqiptar TEA, i cili njihet si Kalendari i Eventeve Turistike, duke përmendur se këtë vit ka pasqyruar më shumë se 2100 evente turistike, ka njohur mbi 145 mijë instalime nga pushues të ardhur prej 127 vendeve të botës dhe se po ashtu, janë përfshirë 3500 biznese që kanë ofruar shërbime.
Por, tha Ministrja Kumbaro, teksa përmbyllim ditët e fundit të atij që quhet turizëm i plazhit, hyjmë në turizmin e vjeshtës dhe të dimrit me 80% të kapaciteteve hoteliere të rezervuara, sipas vetë konfirmimeve të sektorit privat dhe të tjera sfida na presin në turizmin natyror, sportiv, kulturor e të gastronomisë.
Nga ana tjetër, ministrja Kumbaro përmendi edhe projektet e mandatit të katërt të qeverisjes, të mbështetura në Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Turizmit 2025-2030, siç është projekti i përbashkët me Organizatën Botërore të Turizmit për të sjellë Akademinë Ndërkombëtare të Turizmit dhe të Mikpritjes si një bashkëpunim i qeverisë shqiptare dhe UN Tourism në Tiranë, Teknologjinë dhe Informacionin, Platformën e Integruar Digjitale të Turizmit, Regjistrin Kombëtar Digjital të Turizmit për të gjitha sipërmarrjet turistike, Platformën Digjitale e-Visitor për regjistrimin elektronik dhe gjurmimin në kohë reale të vizitorëve në strukturat akomoduese dhe çdo aktivitet tjetër të sektorit dhe një sistem të integruar të mbledhjes dhe analizimit të statistikave në sektorin e turizmit përmes “Sistemit Elektronik të të Dhënave në Turizëm”.
Aktualisht, në regjistrin kombëtar të turizmit janë të publikuara 972 guida turistike të certifikuara dhe 239 operatorë të turizmit detar të certifikuar.