Grupi i rezistencës palestineze, Hamas, ka thënë se ka rënë dakord për formimin e një administrate kombëtare të pavarur teknokratësh për të drejtuar Gazën, ndërsa pret përgjigjen e Izraelit për një propozim të paraqitur nga ndërmjetësuesit muajin e kaluar.
"Hamasi është ende në pritje të përgjigjes së Izraelit për propozimin e paraqitur nga ndërmjetësuesit më 18 gusht, të cilin grupi e ka pranuar," tha Hamasi në një deklaratë.
Grupi përsëriti gatishmërinë e tij për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të parashihte lirimin e të gjithë pengjeve izraelite në këmbim të një numri të caktuar të të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite.
Plani përfshin gjithashtu përfundimin e gjenocidit në Gaza, një tërheqje të plotë të forcave izraelite, rihapjen e pikave kufitare për të lejuar ndihma jetike dhe fillimin e rindërtimit.
Hamasi tha se pranimi i një administrate teknokrate ishte një përpjekje për t’iu përgjigjur asaj që zyrtarët izraelitë e kanë quajtur pyetja e "ditës pas" lidhur me qeverisjen në Gaza, të cilën ata e kanë përmendur si justifikim për zgjatjen e masakrës.
Deklarata vjen ndërsa mediat izraelite raportuan se Kryeministri Benjamin Netanyahu, i cili përballet me një urdhër arresti nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, është tërhequr nga kërkimi i një marrëveshjeje të pjesshme dhe tani po kërkon një marrëveshje gjithëpërfshirëse
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, tha gjithashtu të mërkurën se “të gjithë ushtarët izraelitë të mbajtur në Gaza duhet të lirohen.”
Hamasi dhe Fatahu kishin rënë më parë dakord, gjatë bisedimeve në Kajro në dhjetor të kaluar, të formonin një komitet për të menaxhuar çështjet e Gazës, por Autoriteti Palestinez e refuzoi marrëveshjen, duke këmbëngulur se ai duhet të merrte përgjegjësinë për qeverisjen e territorit.
Masakra në Gaza e ka lënë pjesën më të madhe të enklavës nën rrënoja.
Gati dy vite ofensivash izraelite kanë vrarë më shumë se 63.000 palestinezë, kanë zhvendosur pjesën më të madhe të popullsisë dhe e kanë çuar enklavën në prag të urisë.
Hamasi tha se mbetet i vendosur për “një administrate kombëtare të pavarur teknokratësh” për të marrë menjëherë përgjegjësinë në të gjitha sektorët e qeverisjes.