Njëra nga rrugët e reja të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, e njohur si "Rruga B", është vendi ku shumë artistë të grafitit nga katër anët e botës do të qëndrojnë për tre ditë me radhë për ta zbukuruar një mur të gjatë dhjetëra metra.
Kjo po bëhet në kuadër të edicionit të 9-të të Festivalit ndërkombëtar të Grafitit "Meeting of Styles Kosovo" dhe ka për temë kauzën e zgjedhur (The chosen cause), me ç’rast artistët janë lënë të lirë të zgjedhin për të ngjyrosur mesazhin që ata dëshirojnë.
Artistë të muraleve, tashmë kanë ndarë metrat katrorë secili ku do të punojnë, pranë murit janë vendosur kabina për shërbime të ndryshme dhe shitje të gjësendeve që lidhen me festivalin dhe puna do të vazhdojë në qiell të hapur.
Koordinatorja e komunikimit dhe marrëdhënieve me publikun në këtë festival, Arba Bunjaku tha se aktivitetet në kuadër të festivalit do të zgjasin deri në orën 10 të mbrëmjes.
Ajo tha përpos pikturimit të muraleve ka edhe aktivitete për fëmijë, muzikë dhe gara në grafit. "Sivjet i kemi rreth 100 artistë dhe 100 vullnetarë bashkë me ne stafin. Festivali është i hapur për të gjithë, është pa pagesë, për këdo që dëshiron të vijë ta shijojë artin, muzikën dhe pije", tha ajo.
Bunjaku tha se artistët vijnë nga vende të ndryshme të Evropës, por edhe nga Azia e Afrika.