POLITIKË
2 minuta leximi
Rusia: Trump ka ndjekur një qasje "më të thellë" për zgjidhjen e luftës pas samitit në Alaskë
"Presidenti Trump dhe ekipi i tij, veçanërisht pas takimit në Alaskë, kanë ndjekur një qasje shumë më të thellë për zgjidhjen e kësaj krize, duke kuptuar se është e nevojshme të eliminohen shkaqet rrënjësore", tha kryediplomati rus.
Rusia: Trump ka ndjekur një qasje "më të thellë" për zgjidhjen e luftës pas samitit në Alaskë
Rusia: Trump ka ndjekur një qasje "më të thellë" për zgjidhjen e luftës pas samitit në Alaskë / AP
11 orë më parë

Moska tha se Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, dhe administrata e tij kanë ndjekur një qasje "më të thellë" për zgjidhjen e luftës së vazhdueshme në Ukrainë pas samitit të javës së kaluar midis Trumpit dhe homologut të tij rus, Vlladimir Putin në Alaskë.

"Presidenti Trump dhe ekipi i tij, veçanërisht pas takimit në Alaskë, kanë ndjekur një qasje shumë më të thellë për zgjidhjen e kësaj krize, duke kuptuar se është e nevojshme të eliminohen shkaqet rrënjësore, për të cilat Presidenti Putin dhe ne kemi folur vazhdimisht", tha ministri i Jashtëm rus, Sergey Llavrov, në një intervistë me kanalin televiziv shtetëror, "Rossiya-24".

Gjatë intervistës, Lavrov tha se kishte një "atmosferë të mirë" gjatë bisedimeve në Alaskë, të cilën ai tha se u reflektua në deklaratat e dy presidentëve pas samitit, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve RIA dhe mediat ruse.

Ai i përcaktoi më tej bisedimet si një "bisedë të dobishme", duke argumentuar se ishte "e qartë" se Trump dhe ekipi i tij "dëshirojnë sinqerisht të arrijnë një rezultat që do të jetë afatgjatë, i qëndrueshëm dhe i besueshëm".

Lavrov theksoi se qëndrimi i ShBA-së është në kundërshtim me vendet evropiane, të cilat "thonin në çdo vend se është i nevojshëm një armëpushim dhe pas kësaj ata vazhdonin të furnizonin me armë Ukrainën".

Të premten, Trump dhe Putin zhvilluan një takim tri orësh me dyer të mbyllura në qytetin Anchorage të shtetit amerikan të Alaskës, me presidentin rus që tha se ata arritën një "mirëkuptim".

Presidenti amerikan, nga ana e tij, përshëndeti bisedimet si "përparim të madh".

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us