RAJONI
2 minuta leximi
Kryeministri Rama: Mirënjohje Kombëtare për heroizmin e forcave kundër zjarreve
Kryeministri Edi Rama vlerësoi forcat e emergjencës, ushtrisë dhe zjarrfikësve për përballjen me zjarret, duke e cilësuar angazhimin e tyre si "heroizëm që nderon shtetin dhe lartëson republikën".
Kryeministri Rama: Mirënjohje Kombëtare për heroizmin e forcave kundër zjarreve
Kryeministri Rama: Mirënjohje Kombëtare për heroizmin e forcave kundër zjarreve / ATA
21 orë më parë

Në një ceremoni të organizuar për dhënien e medaljeve dhe shpërblimeve, Rama u shpreh se përulja para atyre që rrezikuan jetën në terren është detyrim moral dhe institucional.

“Beteja e zjarrit që përfshiu territore të konsiderueshme të vendit në dy muajt e fundit ishte një kronikë dramatike, por e mbushur me përkushtim, sakrificë dhe heroizëm njerëzor,” tha Kryeministri në fjalën e tij.

Ai përmendi skena dramatike nga fshati Kalasë, ku tymi shndërrohej në vorbullë ajri që rrezikonte edhe helikopterët e emergjencës, si dhe nga qyteti i Delvinës, ku flakët përshkruhen si “regjimente demonësh”.

Kryeministri solli edhe përjetimin e një oficeri policie që sfidoi drejtpërdrejt vdekjen për të shpëtuar jetë njerëzish. Ai ndau momente rrëqethëse nga operacionet e shpëtimit, mes tymit, nxehtësisë dhe rraskapitjes.

“Na thanë se banorët nuk pranojnë të evakuohen. Mes tyre një fëmijë 10 vjeç, një grua e moshuar, një çift që nuk donte të largohej. Mora një kovë me ujë, laga bluzën për të mos u asfiksuar… në fund rashë pa ndjenja,” citoi Rama dëshminë e oficerit.

Në një tjetër zonë, në fshatin Plan i Bardhë në Mat, Rama përmendi sakrificën e zjarrfikësve që, sipas tij, evakuuan banorë dhe shpëtuan jetë njerëzore “pa çarë kokën për tym, intoksikim apo etje”.

“Këto janë histori që u bëjnë nder uniformave të vendit dhe e lartësojnë shtetin shqiptar,” theksoi Rama, duke u shprehur se brezat e ardhshëm do të kujtojnë me respekt kontributin e këtyre burrave e grave të shërbimit.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us