Në Shqipëri gjatë kësaj vere janë kryer 1354 operacione për shuarjen e 193 zjarreve masive.
Agjencia për Media dhe Informim raportoi se në luftën për shuarjen e zjarreve në vend u angazhuan mbi 10 mijë forca operacionale dhe 532 mjete tokësore nga FA-ja, Policia e Shtetit, AdZM dhe vullnetarë.
Nga ajri helikopterët e FA-së intervenuan në 120 operacione, ku në ndihmë erdhi edhe Mekanizmi i Mbrojtjes Europiane, nëpërmjet shteteve si Italia, Kroacia, Greqia, Çekia, Sllovakia, Suedia, Emiratet e Bashkuara Arabe.
Gjithashtu për shuarjen e zjarreve u vunë në dispozicion 127 mjete të Forcave të Armatosura, 178 të MZSh-së, 83 të Emergjencave Civile lokale, 113 mjete të Policisë së Shtetit dhe 10 të Administratave të Zonave të Mbrojtura.
Për të vlerësuar forcat e angazhuara në operacionet e shpëtimit, u organizua ceremonia e Mirënjohjes Kombëtare, kreu i shtetit shqiptar dekoroi me Medaljen e Mirënjohjes Publike dhe Vlerësimit Profesional disa prej heronjve në betejën ndaj zjarreve.