Të paktën 64.803 palestinezë janë vrarë nga lufta gjenocidale e Izraelit në Rripin e Gazës që prej tetorit 2023, pasi edhe shtatë persona të tjerë humbën jetën nga uria në enklavë, bëri të ditur të shtunën Ministria e Shëndetësisë.
Në një deklaratë, ministria tha se 47 trupa u sollën në spitale në 24 orët e fundit, ndërsa 205 persona u plagosën, duke e çuar numrin e të plagosurve në 164.264 nga ofensiva izraelite.
Ministria shtoi se shumë viktima ndodhen ende nën rrënoja dhe nëpër rrugë, pasi ekipet e shpëtimit nuk arrijnë dot t’i nxjerrin.
Sipas ministrisë, pesë palestinezë u vranë dhe mbi 26 të tjerë u plagosën nga zjarri i ushtrisë izraelite teksa përpiqeshin të merrnin ndihma humanitare në 24 orët e fundit.
Kjo e çon numrin e palestinezëve të vrarë gjatë kërkimit për ndihmë në 2.484, ndërsa mbi 18.117 të tjerë janë plagosur që prej 27 majit, kur nisi aktivitetin Fondacioni Humanitar i Gazës, i shumëdiskutuar.
Shtatë palestinezë të tjerë, përfshirë dy fëmijë, humbën jetën nga kequshqyerja dhe uria në 24 orët e fundit, duke e çuar në 420 numrin e viktimave të lidhura me urinë që prej tetorit 2023, mes tyre 145 fëmijë.
Që prej 2 marsit, autoritetet izraelite kanë mbyllur plotësisht të gjitha pikat kufitare të Gazës, duke thelluar vuajtjet në territorin palestinez.
Sipas Integrated Food Security Phase Classification (IPC), një monitor i urisë i mbështetur nga OKB-ja, uria u konfirmua në Gazën veriore në mesin e gushtit dhe pritet të përhapet në Deir al-Balah dhe Khan Younis deri në fund të shtatorit.