Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi fillimin e stërvitjes së përbashkët strategjike "Zapad (Perëndim)-2025" midis forcave të armatosura bjelloruse dhe ruse.
Në një deklaratë nga ministria thuhet se stërvitja ushtarake "Zapad-2025" është faza e fundit e përgatitjeve të përbashkëta të këtij viti nga ushtritë ruse dhe bjelloruse.
Stërvitja synon t'i rrisë aftësitë e komandantëve dhe shtabit, nivelin e bashkëpunimit midis forcave rajonale dhe të koalicionit, si dhe stërvitjen në terren në fusha të tilla si ruajtja e paqes, mbrojtja e interesave të të dy vendeve dhe garantimi i sigurisë ushtarake. Gjithashtu, thuhet se stërvitja do të përqendrohet në lokalizimin e agresionit kundër Shtetit të Unionit Rusi-Bjellorusi, menaxhimin e forcave rajonale dhe të koalicionit, neutralizimin e kërcënimeve dhe zhvillimin e opsioneve të ndryshme të veprimit të përbashkët për të stabilizuar situatën në kufij.
Deklarata shpjegon se faza e parë e stërvitjes së përbashkët strategjike është menaxhimi i njësive ushtarake për të sprapsur sulmet kundër Shtetit të Unionit.
Ndërsa faza e dytë është menaxhimi i trupave dhe forcave për ta rivendosur integritetin territorial të Shtetit të Unionit dhe për të mposhtur armikun, theksohet në deklaratë.
"Në fazën e dytë, do të ketë gjithashtu një forcë koalicioni të përbërë nga njësi ushtarake nga shtete mike. Për të kryer veprime të përbashkëta në kuadrin e grupit të forcave të koalicionit, në stërvitje janë ftuar grupet operacionale të përbëra nga komanda ushtarake dhe njësi ushtarake të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), shteteve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) dhe partnerëve të tjerë", thuhet në deklaratë.
Më tej, në deklaratë njoftohet gjithashtu se stërvitja e përbashkët ushtarake do të zhvillohet në poligone në territorin bjellorus dhe rus, si dhe në ujërat e deteve Baltik dhe Barents.