Të paktën 62 palestinezë të tjerë u vranë në sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës, duke e rritur numrin e të vdekurve që nga tetori i vitit 2023 në 50.144, tha të martën Ministria e Shëndetësisë.
Në deklaratën e ministrisë thuhet se 296 persona të tjerë të lënduar u transferuan gjithashtu në spitale, duke e çuar numrin e lëndimeve në 113.704 nga sulmet izraelite.
“Shumë viktima janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi ekipet e shpëtimit nuk janë në gjendje të arrijnë deri tek ta” shtoi ministria.
Ushtria izraelite nisi një fushatë të befasishme ajrore në Rripin e Gazës më 18 mars, duke vrarë afro 800 njerëz dhe duke plagosur mbi 1.600 të tjerë, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve që u arrit në janar.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarrest për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.