Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka bërë thirrje për mbrojtjen e gazetarëve në Gaza. Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale nga asociacioni bëhet thirrje për lejimin e gazetarëve në Gaza dhe mbrojtjen e tyre.
Në deklaratë thuhet se që nga nisja e luftës, mbi 200 gazetarë janë vrarë në Gaza, "duke lënë pas familje që humbën bijtë dhe bijat, fëmijë që humbën prindërit, gazetarë që humbën kolegët dhe redaksi të trishtuara e me lajme të cunguara".
"Shteti i Izraelit nuk lejon asnjë media ndërkombëtare të raportojë të vërtetat nga Gaza. Ndaj barra e lajmeve nga ajo zonë lufte u ka rënë gazetarëve palestinezë që janë qëlluar dhe janë vrarë me kamerën apo telefonin ende në dorë duke raportuar në kohë reale në çdo cep të globit. Sot, më 1 shtator, media dhe gazetarë nga e gjithë bota bashkohen për të thënë: 'Nuk jeni vetëm'. Edhe Shqipëria është pjesë e kësaj nisme duke i kërkuar qeverisë të mbajë qëndrim të qartë përballë gjenocidit dhe të ngrejë zërin për mbrojtjen e gazetarëve", theksohet në deklaratë.
Gjithashtu thuhet se kujtojnë letrën e lamtumirës të gazetarit të ri të Al Jazeera-s, Anas al-Sharif, i vrarë në fillim të gushtit nga një sulm ajror izraelit, ku sipas deklaratës ai shkruante: "Mos harroni Gazën".
"Sot, me zërat tanë të bashkuar, ne themi: Gaza nuk harrohet. Gazetarët nuk harrohen. E vërteta nuk heshtet", thekson deklarata.
Edhe më parë, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, ka reaguar për Gazën, ku në një letër drejtuar zyrtarëve të lartë të vendit kërkohej të mbahet një qëndrim publik dhe i qartë për situatën në Gaza dhe ku theksohej se "Ajo që po ndodh në Gaza nuk është një luftë, është një gjenocid".
Izraeli ka vrarë mbi 63.000 palestinezë në Gaza që nga tetori 2023, ndërkohë në shënjestër kanë qenë edhe gazetarët. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën, e cila po përballet me zi buke.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhëraarresti për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.