Delegacioni rus dhe ai amerikan mbajtën një takim “të detajuar dhe kompleks, por mjaft të dobishëm” në Riad të hënën, duke u fokusuar në konfliktin e Ukrainës dhe çështjet e sigurisë, tha të martën Grigory Karasin, bashkëdrejtuesi i delegacionit rus.
Bisedimet e nivelit të lartë zgjatën mbi 12 orë, duke shënuar një nga diskutimet më të gjata midis dy palëve që nga rifillimi i dialogut të tyre diplomatik në shkurt.
Karasin i cilësoi bisedimet si konstruktive, duke theksuar se ato mbuluan çështje të shumta.
“Dialogu ishte i detajuar dhe kompleks, por mjaft i dobishëm si për ne ashtu edhe për amerikanët”, tha ai për mediat ruse, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS.
“U diskutuan shumë probleme, sigurisht që jo gjithçka u zgjidh, nuk u ra dakord për gjithçka, por fakti që u bë një bisedë e tillë, më duket se është shumë në kohë duke pasur parasysh ardhjen e administratës së re dhe politikanëve të rinj që erdhën në mbledhjen e grupeve të ekspertëve”, bëri të ditur Karasin.
Një burim nga delegacioni rus u tha gazetarëve se të dyja palët kishin koordinuar një deklaratë të përbashkët, që pritet të publikohet nga Kremlini dhe Shtëpia e Bardhë të martën.
Delegacioni rus përfshinte Sergey Beseda, një këshilltar i drejtorit të Shërbimit Federal të Sigurisë, ndërsa pala amerikane u përfaqësua nga Michael Anton, drejtori i stafit të planifikimit të politikave të Departamentit të Shtetit, Andrew Peek nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, ndihmësi i të dërguarit të posaçëm të Presidentit të ShBA-së Donald Trump për Ukrainën Keith Kellogg, dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Mike Waltz.
Përpara bisedimeve, ndihmësi i Kremlinit, Yury Ushakov, pati deklaruar se diskutimet do të trajtonin gjithashtu ringjalljen e mundshme të nismës së grurit të Detit të Zi, pas një bisede telefonike të fundit midis Trump dhe homologut të tij rus Vlladimir Putin.