Presidenti francez Emmanuel Macron, pas një telefonate me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Mohamed bin Zayed Al-Nahyan, paralajmëroi se lufta e vazhdueshme e Izraelit në Gaza "e vë gjithnjë e më shumë në rrezik stabilitetin rajonal".
"Duhet t'i jepet fund luftës, e cila çdo ditë e më shumë e vë në rrezik stabilitetin rajonal", shkroi Macron në postimin e tij në platformën sociale të kompanisë amerikane X, pasi foli me bin Zayedin të enjten vonë për t'i diskutuar sulmet e fundit izraelite në Doha.
Macron theksoi se respekti për sovranitetin shtetëror është "parim thelbësor" për stabilitetin rajonal, ashtu si edhe zgjidhja me dy shtete.
"Ia përsërita presidentit Mohamed Bin Zayed urgjencën e shtuar për të arritur më në fund një marrëveshje që do ta lejonte lirimin e të gjitha pengjeve dhe zbatimin e një armëpushimi në Gaza, që do të sjellë lehtësimin e nevojshëm për palestinezët në Gaza", shtoi ai.
Avionët luftarakë izraelitë kryen të martën një sulm ajror që kishte në shënjestër udhëheqjen e Hamasit në kryeqytetin e Katarit, duke vrarë pesë anëtarë të Hamasit dhe një pjesëtar të sigurisë së Katarit.
Të mërkurën, Netanyahu iu drejtua Dohës, duke thënë: "Ose i dëboni ata (Hamasin), ose i sillni para drejtësisë. Sepse nëse nuk e bëni ju, do ta bëjmë ne".
Netanyahu e krahasoi sulmin izraelit në Doha me ndjekjen amerikane të Al-Kaedës pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Katari e hodhi poshtë me shpejtësi krahasimin, duke e quajtur atë një "justifikim të ri dhe të mjerueshëm për praktikat tradhtare të Izraelit" dhe një shkelje të pamatur të sovranitetit të tij.
Katari, së bashku me ShBA-në dhe Egjiptin, ka luajtur një rol qendror në përpjekjet për të ndërmjetësuar përfundimin e luftës së Izraelit në Gaza, e cila ka vrarë më shumë se 64.700 palestinezë që nga tetori i vitit 2023.