Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi të premten një rezolutë që mbështet Deklaratën e Nju Jorkut, e cila synon njohjen e një shteti palestinez dhe avancimin e zgjidhjes me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez.
Rezoluta, me titull formal “Miratimi i Deklaratës së Nju Jorkut mbi Zgjidhjen Paqësore të Çështjes së Palestinës dhe Zbatimin e Zgjidhjes me Dy Shtete”, u miratua me 142 vota pro, 10 kundër dhe 12 abstenime.
E propozuar nga Franca dhe Arabia Saudite, deklarata u nënshkrua më parë nga 17 shtete anëtare gjatë një konference ndërkombëtare të mbajtur në selinë e OKB-së në Nju Jork në korrik.
“Kjo deklaratë rrjedh nga puna që u zhvillua gjatë konferencës më 28-30 korrik 2025 në Nju Jork, dhe u hartua në bashkëpunim me 17 bashkëkryetarët e grupeve të punës”, tha Jerome Bonnafont, Përfaqësuesi i Përhershëm i Francës në OKB. “Kjo deklaratë paraqet një rrugë të vetme për të arritur zgjidhjen me dy shtete.”
Mansour falënderoi të gjitha vendet që mbështetën deklaratën, duke shtuar: “Për ata që duan paqe, ejani dhe bashkohuni me ne. Për ata që duan të shpëtojnë jetë, ejani dhe bashkohuni me ne”.
Izraeli dhe ShBA-ja kundërshtuan rezolutën. Ambasadori izraelit në OKB, Danny Danon, tha: “Miratimi i kësaj deklarate të ashtuquajtur nuk është një përpjekje serioze për paqe”.
Përfaqësuesja amerikane Morgan Ortagus tha se teksti “minon përpjekjet serioze diplomatike për të ndalur konfliktin”, duke shtuar se ai “ka fuqizuar Hamasin dhe ka dëmtuar perspektivat për paqe”.