Të paktën 10 palestinezë u vranë, përfshirë 3 persona që prisnin për ndihma ndërsa disa të tjerë u plagosën në një seri sulmesh ajrore në të gjithë Rripin e Gazës të enjten.
Një burim mjekësor tha se 5 anëtarë të një familjeje u vranë në një sulm me dron në Khan Younis në jug të Rripit të Gazës.
Tre të tjerë u vranë dhe një tjetër u plagos kur forcat izraelite bombarduan një grup civilësh që prisnin pranë një qendre shpërndarjeje ndihmash në rrugën Salah al-Din në Gazën qendrore.
Në lagjen al-Tuffah të qytetit të Gazës, dy civilë të tjerë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën rëndë në një sulm me dron që synonte një tubim banorësh në zonën Al-Zarqa.
Ndërkohë, forcat izraelite vazhduan shkatërrimet dhe bombardimet në lagjet Zeitoun dhe Sabra në qytetin e Gazës, raportoi agjencia zyrtare e lajmeve Wafa.
Izraeli ka vrarë më shumë se 62.100 palestinezë në Rripin e Gazës që nga tetori 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën, e cila po përballet me mungesë ekstreme të ushqimit.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.