Gjatë sezonit turistik veror në Shqipëri, 36 qendra shëndetësore, nga veriu në jug, garantuan shërbim mjekësor për të gjithë pushuesit, vendas apo të huaj.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një postim në rrjetet sociale tha sot se “68108 pushues vendas e të huaj kanë marrë shërbim nga 1 qershori deri më 31 gusht, në 36 qendrat shëndetësore verore të hapura 24/7, me ekipe mjekësore pranë pushuesve çdo ditë”.
Sipas saj, 30 përqind e pushuesve që përfituan nga shërbim në këto qendra ishin turistë të huaj.
Ministrja Koçiu u shpreh se “falë përkushtimit të stafeve mjekësore, pushuesit kanë shijuar një sezon të qetë dhe të mbrojtur”.
Fluksin më i lartë i pushuesve që kanë marrë shërbim ka qenë në qendrat shëndetësore në Golem, Pogradec, Plazh Durrës, Mali i Robit, Gjiri i Lalëzit.
Ndërsa diagnozat më të shpeshta kanë qenë gastroenterite, pickime dhe alergji, viroza të ndryshme dhe hipertension arterial.
Qendrat shëndetësore verore do të qëndrojnë të hapura deri në 30 shtator 2025 për një sezon turistik të sigurt dhe të shëndetshëm për të gjithë pushuesit, vendas dhe të huaj.