Grupi palestinez i rezistencës Hamas të premten dënoi vendimin e Kabinetit të Sigurisë së Izraelit për të pushtuar qytetin e Gazës, duke e cilësuar atë si “krim lufte dhe akt të spastrimit etnik” kundër palestinezëve në territorin e rrethuar.
Në një deklaratë, grupi tha se ndërhyrja izraelite “nuk do të jetë piknik” dhe paralajmëroi se Izraeli “do të paguajë një çmim të rëndë” për këtë aventurë ushtarake në Gaza.
Hamas akuzoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe “qeverinë e tij naziste” se nuk tregojnë asnjë kujdes për fatin e pengjeve izraelite në Gaza, duke thënë se zgjerimi i luftës përbën një “vendim të llogaritur për t’i sakrifikuar” ata.
Grupi hodhi poshtë gjithashtu përpjekjen e Izraelit për të zëvendësuar termin “pushtim” me “kontroll”, duke e përshkruar si një “shmangie të hapur me qëllim për të evituar përgjegjësinë ligjore për krimet e tij” kundër gati 1 milion palestinezëve në qytet.
Kabineti i Sigurisë së Izraelit ka shmangur qëllimisht përdorimin e termit “pushtim” për Rripin e Gazës në vendimet e tij të fundit zyrtare, duke preferuar në vend të tij fjalën “kontroll”, një veprim që, sipas analistëve ligjorë, synon shmangien e përgjegjësive ligjore ndërkombëtare ndaj civilëve palestinezë.
Izraeli po përballet me zemërim gjithnjë në rritje për luftën e tij shkatërruese në Gaza, ku që nga tetori 2023 ka vrarë mbi 61 mijë njerëz. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën dhe e ka çuar në prag të urisë masive.