Të paktën 61.330 palestinezë janë vrarë në luftën gjenocidale të Izraelit në Gaza që nga tetori i vitit 2023, përfshirë 201 që kanë vdekur nga uria, njoftoi të premten Ministria e Shëndetësisë në Gaza.
Në përditësimin e saj të përditshëm, ministria njoftoi se në 24 orët e fundit janë sjellë në spitale 72 kufoma dhe 314 të plagosur, duke e çuar numrin total të të plagosurve në 152.359 që nga fillimi i luftës.
Po ashtu janë regjistruar edhe katër vdekje të reja për shkak të urisë dhe kequshqyerjes, duke e çuar në 201 numrin total të viktimave nga uria, përfshirë 98 fëmijë.
Ministria paralajmëroi se shumë viktima mbeten ende nën rrënoja apo në rrugë, pasi ekipet e shpëtimit dhe të mbrojtjes civile nuk janë në gjendje t’i arrijnë për shkak të intensitetit të bombardimeve izraelite dhe mungesës së theksuar të pajisjeve.
Ndërkohë, numri i palestinezëve të vrarë ndërsa përpiqeshin të merrnin ndihma humanitare është rritur në 1.772, përfshirë 16 vetëm në 24 orët e fundit. Më shumë se 12.249 persona janë plagosur që nga 27 maji, kur filloi operacionet Fondacioni Humanitar i Gazës, i kritikuar gjerësisht.
Ndryshe, ushtria izraelite rifilloi sulmet ndaj Gazës më 18 mars, duke vrarë që atëherë 9.824 persona dhe duke plagosur 40.318 të tjerë, duke shkelur armëpushimin dhe marrëveshjen për shkëmbimin e të burgosurve që kishte hyrë në fuqi në janar.
Në nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste për Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant nën akuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një proces për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.