Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes së Kroacisë, Ivan Anushiq, të mërkurën mori pjesë në prezantimin e sistemit të ri ushtarak pa pilot Bayraktar TB2, së bashku me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Kroacisë, gjeneral-kolonel Tihomir Kundid, dhe ambasadoren e Republikës së Türkiyes në Kroaci, Nurdan Erpulat Altuntaş.
Prezantimi u mbajt në kuadër të vizitës në Forcat Ajrore të Kroacisë, ku pjesëtarët e ushtrisë kroate, pas përfundimit me sukses të trajnimit në Türkiye, demonstruan aftësitë operacionale dhe përdorimin e sistemit të ri Bayraktar TB2.
Kroacia, në fund të vitit të kaluar, mori një vendim strategjik për blerjen e gjashtë dronëve të armatosur Bayraktar TB2 nga kompania turke Baykar. Droni Bayraktar TB2 mund të qëndrojë në ajër për më shumë se 20 orë, çka e bën veçanërisht të dobishëm për misione dhe operacione afatgjata.
“Të gjashtë dronët modernë të armatosur Bayraktar TB2 i ofrojnë ushtrisë kroate aftësi të reja në fushën e veprimeve luftarake, mbikëqyrjes së kufijve, zbulimit dhe mbrojtjes kundër zjarreve, gjë që kontribuon ndjeshëm në forcimin e sigurisë kombëtare dhe kapaciteteve mbrojtëse të Kroacisë,” tha Anushiq në rrjetin social X me seli në ShBA.