Sot në Shkup u mblodh Asambleja e Përgjithshme e Asociacionit të Agjencive Ballkanike të Lajmeve - Evropa Juglindore (ABNA-SE), e organizuar nga agjencia zyrtare e lajmeve të Maqedonisë së Veriut, Agjencia Informative Mediatike (MIA).
Para Asamblesë së Përgjithshme, e cila këtë vit u zhvillua për të 33-tën herë, u organizua një konferencë me temë “Zbulimi i së vërtetës në gazetari”.
Në hapjen e programit, ku mori pjesë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ishin të pranishëm edhe presidenti në detyrë i ABNA-SE, Kryetari i Bordit dhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Anadolu (AA), Serdar Karagöz; Kryetari i Bordit dhe Drejtori i Përgjithshëm i MIA-s, Darko Janevski; përfaqësues nga agjencitë anëtare të ABNA-SE; Koordinatori i Akademisë dhe Publikimeve i AA-së, Yahya Bostan; si dhe Drejtori i Marrëdhënieve të Jashtme dhe Komunikimit Strategjik i AA-së, Bilgehan Öztürk.
Në fjalën e tij, Kryeministri Mickoski deklaroi se agjencitë e lajmeve shkruajnë çdo ditë faqen e parë të së vërtetës.
Mickoski theksoi se detyra e agjencive të lajmeve nuk është vetëm të përcjellin lajmin, por të krijojnë kujtesë shoqërore, të ndërtojnë besim dhe të mbajnë gjallë demokracinë. “Sot, më shumë se kurrë, media është një shtyllë e demokracisë. Në një botë me lidhje globale, ato (agjencitë e lajmeve) jo vetëm që informojnë, por edhe frymëzojnë, bashkojnë dhe krijojnë një klimë për prosperitet”, shtoi ai.
“Linjën e Verifikimit e kemi rekomanduar sot këtu si një praktikë të mirë për të gjitha agjencitë e lajmeve”
Drejtori i Përgjithshëm Serdar Karagöz, për gazetarin e AA-së rikujtoi se si agjenci e kanë mbajtur presidencën e ABNA-SE për dy mandate dhe njoftoi se këtë detyrë do t’ia dorëzojnë MIA-s.
Karagöz theksoi se në program ata diskutuan problemet dhe të ardhmen e agjencive të lajmeve të Ballkanit, si dhe çështje të lidhura me to, dhe gjithashtu tha se gjatë takimeve u mbajt një konferencë për të diskutuar raportimin e saktë.
“Linja e Verifikimit konfirmon ose përgënjeshtron shumë përmbajtje të prodhuara në këtë epokë të mediave sociale në të cilën po jetojmë. Ne kemi një mekanizëm për këtë. Shumë nga redaktorët tanë janë specializuar në këtë fushë. Përmes Linjës së Verifikimit, ne mund të përcaktojmë nëse një lajm qëndron apo jo në të vërtetë. Ne e rekomanduam Linjën e Verifikimit si një praktikë më të mirë për të gjitha agjencitë e lajmeve këtu sot”, tha Karagöz.
Me dezinformimin dhe manipulimin duhet të luftohet më shumë se kurrë më parë, tha Karagöz, duke shtuar: “Sepse kushdo me një telefon të thjeshtë mund të prodhojë përmbajtje, dhe keto përmbajtje shumë herë janë manipuluese”.
Karagöz porositi se lufta për këtë çështje duhet të ndërmerret nga të gjitha agjencitë e lajmeve.
“Ndërkohë që vazhdon gjenocidi në Gaza, po bëhet edhe një manipulim shumë i madh”
Karagöz tha se në Gaza po ndodh një gjenocid, duke shtuar: “Ndërsa ky gjenocid në Gaza vazhdon, po bëhet edhe një manipulim dhe dezinformim i madh. Nga kush? Nga fuqitë hegjemonike që kanë fuqinë të kontrollojnë përmbajtjen. Çfarë mund të bëjmë lidhur me fuqitë hegjemonike në këtë botë mediatike? Secili prej nesh, si agjenci lajmesh, si agjenci lajmesh të pavarura, mund të krijojmë këto mekanizma verifikimi, mekanizma konfirmimi”.
Karagöz nënvizoi se Izraeli gjenocidin që po kryen po përpiqet ta mbulojë me dezinformim dhe manipulim në gjithë botën dhe se kjo mund të zbulohet përmes agjencive të lajmeve.
Ndërkaq, në fjalimin e tij në kuadër të konferencës, Karagöz preku çështjen e rëndësisë së konferencës dhe në këtë aspekt, ndau me pjesëmarrësit disa shtylla udhëzuese të misionit të tyre të përbashkët.
Ndërkaq, kreu i MIA-s, Janevski, theksoi rëndësinë e gazetarisë dhe burimeve të saj, duke thënë se “Roli i gazetarisë bashkëkohore nuk është vetëm të informojë, por edhe të zbulojë të vërtetën, të ekspozojë gënjeshtrat dhe t'ia paraqesë të gjitha këto publikut”.
Kiril Valchev, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Bullgare të Lajmeve (BTA), deklaroi se si agjenci të lajmeve, duhet t'u japin më shumë përparësi arkivave të tyre, duke thënë: “E di që të gjithë kemi imazhe dhe elementë teksti të vlefshëm në nivele të ndryshme. Do të ishte shumë e dobishme që Asociacioni ynë të jetë një platformë për të ndarë artikuj të ndryshëm nga arkivat tona në mënyrë që të mësohet më shumë rreth kontekstit dhe sfondit të secilës histori”.
Presidenca e radhës kalon te MIA
Si pjesë e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme, Kryetari i Bordit Drejtues të AA-së, Serdar Karagöz, ia dorëzoi presidencën e radhës së Asociacionit të Agjencive Ballkanike të Lajmeve Kryetarit të Bordit dhe Drejtorit të Përgjithshëm të MIA-s, Darko Janevski.
Në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të vitit të kaluar që u mbajt në Stamboll, u vendos që, pas Maqedonisë së Veriut, mbledhjet e Asamblesë së Përgjithshme të viteve 2026 dhe 2027 të mbahen përkatësisht në Itali dhe Bosnjë e Hercegovinë.