Forcat izraelite hynë të martën në dy qytete të Quneitras veriore, në jugperëndim të Sirisë, në shkeljen më të fundit të sovranitetit sirian.
Televizioni shtetëror Alikhbaria Syria njoftoi në një postim në platformën amerikane X se “një patrullë e forcave pushtuese izraelite hyri në qytetin Turnejeh, në veri të Quneitras.” Sipas raportit, patrulla “u ndal në sheshin e qytetit përpara se të vazhdonte drejt qytetit Hader, në veri të Quneitras”, pa dhënë detaje të tjera.
Kanali në fjalë gjithashtu raportoi se një tjetër autokolonë ushtarake izraelite u zhvendos nga Tel al-Ahmar al-Gharbi drejt periferisë së fshatit Al-Asbah, në jug të Quneitras, duke shkaktuar pritje të tensionuar mes banorëve.
Pas rënies së regjimit të Bashar al-Asadit në fund të vitit 2024, Izraeli zgjeroi pushtimin e Lartësive të Golanit duke marrë zonën e çmilitarizuar të tamponit, një veprim që shkeli marrëveshjen e vitit 1974 për ndarjen e forcave me Sirinë.
Izraeli ka kryer gjithashtu qindra sulme ajrore që kanë shënjestruar objekte dhe pajisje ushtarake në të gjithë Sirinë, përfshirë avionë luftarakë, sisteme raketore dhe instalime të mbrojtjes ajrore, sipas raporteve.