Kancelari gjerman Friedrich Merz theksoi të mërkurën se interesat evropiane dhe ukrainase duhet të mbrohen në samitin e ardhshëm mes presidentit të SHBA-së dhe Rusisë në Alaskë.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Berlin, pas një videokonference me presidentin amerikan Donald Trump, Merz tha se vendime të rëndësishme mund të merren në samitin e së premtes në Alaskë.
“Ne, evropianët, po bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të vendosur drejtimin e duhur për këtë takim. Duam që presidenti Donald Trump të ketë sukses të premten në Anchorage”, tha Merz, duke iu referuar samitit që do të zhvillohet në Alaskë.
“Interesat bazë të sigurisë evropiane dhe ukrainase duhet të mbrohen në Alaskë. Ky ishte mesazhi që ne si evropianë ia përcollëm sot presidentit amerikan Trump dhe mund të them se ishim plotësisht të një mendjeje si në vlerësimin e situatës aktuale ashtu edhe në qëllimin e arritshëm për të premten e ardhshme,” tha Merz.
Ai shtoi se udhëheqësit evropianë kishin shprehur pritshmëritë e tyre për takimin që fundjavën e kaluar, dhe diplomatët e tyre kryesorë kishin diskutuar me hollësi këto çështje me palën amerikane gjatë ditëve të fundit.
“Presidenti amerikan e di se, kur Shtetet e Bashkuara punojnë për paqen në Ukrainë që mbron interesat evropiane dhe ukrainase, atëherë mund të mbështetet plotësisht tek ne dhe të llogarisë në mbështetjen tonë,” tha Merz, duke paraqitur pesë pikat kryesore që përfaqësojnë pritshmëritë e tyre për bisedimet e ardhshme mes SHBA-së dhe Rusisë.
“E kemi bërë të qartë se Ukraina duhet të jetë në tryezën e negociatave sapo të zhvillohen takimet e ardhshme. Duam që negociatat të ndiqen me rendin e duhur. Ndërprerja e zjarrit duhet të jetë pika fillestare. Elementet kyçe duhet më pas të dakordësohen në një marrëveshje kornizë,” tha kancelari.
“Së treti, Ukraina është e gatshme të negociojë për çështje territoriale, por e ashtuquajtura vijë e kontaktit duhet të jetë pika fillestare. Ndërsa njohja ligjore e okupimit rus në Ukrainë nuk është temë diskutimi. Parimi se kufijtë nuk duhet të ndryshohen me forcë duhet të vazhdojë të zbatohet,” theksoi Merz.
“Së katërti, negociatat duhet të përfshijnë garanci të forta sigurie për Kievin. Forcat e armatosura të Ukrainës duhet të jenë të afta të mbrojnë në mënyrë efektive sovranitetin e vendit të tyre, dhe gjithashtu të mund të mbështeten në ndihmën perëndimore afatgjatë. Së pesti, negociatat duhet të jenë pjesë e një strategjie të përbashkët transatlantike; vetëm atëherë do të kenë shanset më të mëdha për sukses”.