BOTA
2 minuta leximi
ShBA-ja miraton shitjen e armëve për Ukrainën me vlerë rreth 825 milionë dollarë
Blerja do të financohet nga kontributet e Danimarkës, Holandës, Norvegjisë dhe programi amerikan i financimit të forcave të huaja ushtarake, njofton Agjencia për Bashkëpunim në Sigurinë e Mbrojtjes
ShBA-ja miraton shitjen e armëve për Ukrainën me vlerë rreth 825 milionë dollarë
ShBA-ja miraton shitjen e armëve për Ukrainën me vlerë rreth 825 milionë dollarë / AA
29 Gusht 2025

Departamenti i Shtetit i ShBA-së ka miratuar një shitje të mundshme të municionit ajror dhe pajisjeve të lidhura për Ukrainën, me kosto të vlerësuar prej 825 milionë dollarësh, njoftoi të enjten Agjencia për Bashkëpunim në Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA).

DSCA-ja njoftoi se Kongresi është informuar për kërkesën e Kievit për blerjen e deri në 3.350 raketave me goditje të zgjatur (ERAM) dhe të njëjtit numër sistemesh navigimi GPS/inercial të integruara. Paketa përfshin konteinerë për raketat, pajisje shoqëruese, pjesë këmbimi, softuer, publikime, trajnim për stafin dhe shërbime teknike.

“Ukraina do të përdorë për këtë blerje financimin nga Danimarka, Holanda dhe Norvegjia, si dhe financimin ushtarak të huaj nga ShBA-ja. ERAM-i është një shembull i bashkëpunimit me aleatët tanë të NATO-s për zhvillimin e një sistemi të aftë dhe të shkallëzueshëm që mund të dorëzohet në një kohë të shkurtër”, thuhet në njoftim.

Shitja e propozuar synon të forcojë kapacitetet e Ukrainës për të përballuar “kërcënimet aktuale dhe të ardhshme” dhe do të përmirësojë aftësinë e saj për të kryer misione të vetëmbrojtjes dhe sigurisë rajonale, sipas agjencisë.

Miratimi erdhi pas njoftimit të Ukrainës se në një sulm të madh ajror rus mbi Kievin kanë humbur jetën të paktën 21 persona dhe janë dëmtuar disa ndërtesa, përfshirë zyrat e Këshillit Britanik dhe misionit të BE-së.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti amerikan Donald Trump “nuk është i lumtur, por nuk është i befasuar” nga sulmi, i cili u dënuar gjithashtu nga liderët evropianë.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us