Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, në një ceremoni të mbajtur me rastin e përvjetorit të fillimit të Luftës së Dytë Botërore, kërkoi dëmshpërblim nga Gjermania dhe tha se kjo do të përbëjë një bazë të re për marrëdhëniet e të dyja vendeve.
Sipas lajmeve në shtypin kombëtar, një ceremoni përkujtimore u mbajt në Gadishullin Westerplatte në qytetin Gdansk të Polonisë me rastin e 86-vjetorit të fillimit të Luftës së Dytë Botërore.
Në fjalimin e tij në ceremoni, presidenti Nawrocki vuri në dukje se vendi i tij ndodhet përballë me një sfide të rëndësishme në ndërtimin e Bashkimit Evropian (BE) dhe NATO-s kundër "neoimperializmit të ringjallur dhe federatës ruse" dhe se këtë mision e ka ndarë me Gjermaninë e cila është autore e Luftës së Dytë Botërore".
Dëmshpërblimi do të përbëjë një bazë të re për marrëdhëniet e dy vendeve, tha Nawrocki, duke shtuar: "Për të krijuar një partneritet të bazuar në të vërtetën dhe marrëdhënie të mira me fqinjin tonë perëndimor, duhet të zgjidhim përfundimisht çështjen e dëmshpërblimit nga Gjermania. Si president i Polonisë, e kërkoj hapur këtë për të mirën e përbashkët dhe të ardhmen tonë".
Polonia ka nevojë për drejtësi, të vërtetën dhe marrëdhënie të hapura me Gjermaninë, u shpreh Nawrocki, duke theksuar se kërkon mbështetjen e qeverisë në lidhje me kërkesën e tij për dëmshpërblim.
Në ceremoni foli edhe kryeministri polak Donald Tusk, i cili e cilësoi NATO-n dhe vendet evropiane si aleatë jetikë për vendin e tij përballë tensioneve rajonale dhe kërcënimit rus në rritje. "Duhet të jemi të mençur dhe për këtë arsye duhet të kuptojmë mirë se kush është armiku dhe kush aleati ynë", shtoi ai.
Lufta e Dytë Botërore filloi me sulmin e Gjermanisë naziste ndaj Polonisë më 1 shtator 1939.