RAJONI
2 minuta leximi
Kosova reagon pas pezullimit të dialogut strategjik nga ShBA-ja: Përpiqemi t’i korrigjojmë veprimet
Sa u përket kritikave ndaj Gjykatës Kushtetuese, zëdhënësi i qeverisë ka thënë se qëndrimi i kryeministrit Kurti ka qenë i qartë, duke e akuzuar Gjykatën për vonesa në vendimmarrje dhe për cenimin e karakterit demokratik të Republikës.
Kosova reagon pas pezullimit të dialogut strategjik nga ShBA-ja: Përpiqemi t’i korrigjojmë veprimet
Kosova reagon pas pezullimit të dialogut strategjik nga ShBA-ja: Përpiqemi t’i korrigjojmë veprimet / AA
12 Shtator 2025

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë i Kosovës, Përparim Kryeziu, ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara (ShBA) për pezullimin e dialogut strategjik të planifikuar me Kosovën, duke theksuar se marrëdhëniet me ShBA-në mbeten të qëndrueshme dhe se Kosova është partneri më serioz i saj për stabilitet dhe paqe në rajon.

Në një shkrim në rrjetet sociale, Kryeziu ka thënë se veprimet e ekzekutivit kanë qenë gjithmonë të ligjshme dhe kushtetuese, duke synuar eliminimin e vatrave të destabilitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit, veçanërisht në veri.

Sa u përket kritikave ndaj Gjykatës Kushtetuese, ai ka thënë se qëndrimi i kryeministrit në detyrë Albin Kurti ka qenë i qartë, duke e akuzuar Gjykatën për vonesa në vendimmarrje dhe për cenimin e karakterit demokratik të Republikës.

“Rikujtojmë se aktualisht janë 18 ligje ende pa ndonjë vendim të Gjykatës Kushtetuese, të cilat janë në pritje të shqyrtimit të paktën që 9 muaj, me theks te Ligji për Fondin Sovran që është pa përgjigje më shumë se 1 vit e 8 muaj”, theksoi Kryeziu.

Ai u shpreh mirënjohës për kontributin e ShBA-së ndaj Kosovës në shumë fusha.

“I mirëpresim edhe kritikat. Kurdo që janë konkrete, përpiqemi maksimalisht të përmirësojmë dhe korrigjojmë hapat e veprimet tona”, ka shkruar ndër të tjera ai.

ShBA-ja njoftoi të premten për pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik me Kosovën “për shkak të shqetësimeve në lidhje me veprimet e Qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us