Shqipëria do të çelë zyrtarisht edhe katër kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 16 shtator.
Konferenca e 6-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE do të mbahet të martën, me ftesë të Danimarkës, e cila mban Presidencën e radhës së Këshillit të BE-së.
Në këtë takim do të hapet Grupi 4 “Agjenda e gjelbër dhe lidhshmëria e qëndrueshme”, i cili përfshin: Kapitullin 14 – Politika e transportit; 15 – Energjia; 21 - Rrjetet trans-evropiane; 27 – Mjedisi dhe ndryshimet klimatike.
Lajmi u konfirmua nga Kryeministri Edi Rama, i cili tha se “Shqipëria nuk ndalet”.
“Të martën, datë 16 shtator, Presidenca Daneze e BE-se na fton që në praninë e Ministrave të Jashtëm të të gjitha vendeve anëtare, të hapim edhe 4 kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.
Rama theksoi se temat që trajton Grupi 4 kanë rëndësi jetike për të ardhmen e vendit, pasi lidhen me transportin, energjinë, infrastrukturën dhe mbrojtjen e mjedisit. “Vendosim një tjetër gur kilometrik në rrugën drejt majës së Shqipërisë 2030 në BE”, shtoi ai.
Hapat e deritanishëm të negociatave
19 korrik 2022 – Konferenca e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, që shënoi hapjen zyrtare të negociatave.
15 tetor 2024 – Konferenca e dytë, ku u hap Grupkapitulli 1 “Themelorët”.
17 dhjetor 2024 – Konferenca e tretë, mbi Grupkapitullin 6 “Marrëdhëniet e jashtme”.
14 prill 2025 – Konferenca e katërt, mbi Grupkapitullin 2 “Tregu i brendshëm”, ku u përcaktuan edhe kriteret për mbylljen e përkohshme të kapitujve të këtij grupi.
22 maj 2025 – Konferenca e pestë, mbi Grupkapitullin 3 “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”, që përfshiu tetë kapituj nga transformimi digjital e deri tek arsimi dhe kultura.
Procesi i integrimit evropian për Shqipërinë nisi më 24 mars 2020, kur ministrat për Çështjet Evropiane miratuan politikisht hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, vendim që më pas u mbështet nga Këshilli Evropian.