Në një video-mesazh me rastin e 80-vjetorit të Kombeve të Bashkuara (OKB), presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se është e qartë se organizatës globale i duhet një reformë serioze për të vazhduar me përmbushjen e detyrave që i janë besuar.
“Është përgjegjësia jonë kolektive ta bëjmë OKB-në një platformë që përfaqëson drejtësinë globale përballë mizorive të kryera kundër palestinezëve”, tha presidenti Erdoğan.
Erdoğan theksoi se duhet të ndërmerren hapa, me të njëjtën vendosmëri të treguar nga themeluesit që hodhën themelet për këtë organizatë 80 vjet më parë, për të forcuar OKB-në në një mënyrë që mund të rivendoset paqja globale, prosperiteti, besimi i ndërsjellë dhe solidariteti, si dhe për të çuar atë drejt së ardhmes.
Ai riafirmoi mbështetjen e Türkiyes për të gjitha përpjekjet për reforma, përfshirë Iniciativën 80 të OKB-së të nisur nën udhëheqjen e sekretarit të përgjithshëm.
Ai gjithashtu tha se Ankaraja është e vendosur të marrë pjesë aktive në përpjekjet që synojnë transformimin e OKB-së në një strukturë më efektive, më efikase dhe financiarisht të fuqishme.
Presidenti turk kujtoi thirrjen e Türkiyes për reformimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Ne përsërisim sloganin tonë ‘Bota është më e madhe se pesë’, bazuar në reformimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe themi ‘Një botë më e drejtë është e mundur’. U bëj thirrje shteteve anëtare të ndërmarrin hapa të menjëhershëm që do ta rivendosin OKB-në si shpresë te njerëzimit”, tha Erdoğan.
Ai gjithashtu uroi OKB-në për 80-vjetorin e saj, duke theksuar se organizata, ku Türkiye është anëtare themeluese, ka arritur suksese të rëndësishme në sigurimin e paqes dhe sigurisë globale, si dhe në promovimin e bashkëpunimit ndërkombëtar që nga themelimi i saj në vitin 1945.
Presidenti turk shprehu urimet e tij më të mira që ky përvjetor të jetë i mbarë për të gjithë njerëzimit.