Ndryshe nga qeveria e tyre, shumica e gjermanëve mbështesin njohjen e një shteti palestinez, tregoi një sondazh i publikuar sot nga “Internationale Politik” me seli në Berlin.
Rreth 54 për qind e të anketuarve kanë thënë se janë në favor të njohjes së Palestinës si shtet i pavarur, ndërsa 31 për qind kanë kundërshtuar idenë.
Një segment i madh i të rinjve gjermanë dhe mbështetësve të partisë opozitare radikale të majtë, Partia e Majtë, e kanë mbështetur këtë hap.
Midis mbështetësve të Partisë së Majtë, rreth 85 për qind e të anketuarve e kanë mbështetur njohjen e Palestinës. Midis mbështetësve të Partisë së Gjelbër të opozitës, shifra ishte 66 për qind, dhe midis mbështetësve të Partisë Social Demokratike (SPD) që bashkëqeveris, përqindja ishte 52.
Mbështetja ishte veçanërisht e ulët midis Unionit Kristian Demokrat/Bashkimit Kristian Social (48 për qind) dhe Alternativës për Gjermaninë të ekstremit të djathtë (AfD) (45 për qind).
Një sondazh i mëhershëm ka treguar që shumica e gjermanëve duan që qeveria e tyre të ushtrojë më shumë presion mbi Izraelin në lidhje me veprimet e tij në Rripin e Gazës.
Sondazhi “DeutschlandTrend”, i porositur nga transmetuesi publik ARD, zbuloi se 66 për qind e pjesëmarrësve janë pajtuar me deklaratën se “qeveria gjermane duhet të ushtrojë më shumë presion ndaj qeverisë izraelite për ta ndryshuar qëndrimin e saj ndaj Rripit të Gazës”.
Presioni në rritje i opinionit publik ndaj qeverisë gjermane – i nxitur nga raportimet për fëmijë që po vdesin nga uria në Gaza – e shtyu kancelarin Friedrich Merzqë të premten të njoftojë pezullimin e pjesshëm të eksporteve të armëve drejt Izraelit.
Për muaj me radhë, Merz i kishte refuzuar thirrjet e deputetëve opozitarë për ndalimin e eksporteve të armëve drejt Izraelit dhe kishte hedhur poshtë apelat e anëtarëve të BE-së për të pezulluar marrëveshjen tregtare me Tel Avivin, edhe pse fushata ushtarake dhe bllokada izraelite në Gaza kanë shkaktuar mbi 61.000 viktima, shumica gra dhe fëmijë.