Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se sa herë që liderët evropianë t’i propozojnë të njohë Kosovën ose të nënshkruajë çfarëdo marrëveshjeje me Prishtinën, ai do t’u lexojë çdo herë deklaratën e tyre, në të cilën, kur bëhet fjalë për Ukrainën, theksohet se kufijtë e njohur ndërkombëtarisht nuk mund të ndryshohen me forcë.
"Ka qenë aq e bukur ajo deklaratë sa që do t’ua lexoj çdo herë kur të më ofrojnë të njoh Kosovën ose të nënshkruaj diçka me Prishtinën. Do t’ua lexoj çdo herë", tha Vuçiq në një emision televiziv.
Ai theksoi se në deklaratë, liderët e Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Finlandës, si dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kanë nënvizuar se kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë.
"Mundet, kur duan ata. Sipas tyre, 27 vende na kanë ndryshuar kufijtë sepse ashtu kanë dashur. Kjo nuk është krejt sipas së drejtës ndërkombëtare dhe parimeve", tha Vuçiq.
Ai theksoi se është detyrë e Serbisë të ruajë vendin e saj, ta forcojë dhe ekonomikisht, ngadalë por sigurt, të arrijë vendet më të zhvilluara të Evropës.
Duke folur për situatën në Republikën Sërpska dhe Bosnjë dhe Hercegovinë, tha se entiteti serb në BeH është në pozitë të vështirë dhe njoftoi se ditët e ardhshme do të bisedojë me presidentin e RS-së, Milorad Dodik.
"Nuk mund të bëj plane në emër të RS-së, mund vetëm të them se jemi me Sërpskën dhe se nuk pajtohem me faktorët e huaj që e shohin Dodikun si të vetmin fajtor. Dodiku kishte të drejtë për çështjen e pronës, të cilën e theksova, por ata e shtynë derisa e çuan në një cep. Ne do të luftojmë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin", tha Vuçiq.
I pyetur për takimin e ardhshëm të presidentëve të ShBA-së dhe Rusisë, Donald Trump dhe Vladimir Putin, në Alaskë, ai e vlerësoi si një takim shumë të rëndësishëm dhe u uroi atyre fat.