Vendet e rajonit vazhdojnë të përballen me rrezik nga zjarret si rezultat i temperaturave të larta të ditëve të fundit.
Në Shqipëri, në 24 orët e fundit janë regjistruar 38 vatra zjarri në pjesë të ndryshme të vendit, prej të cilave 7 mbeten aktive, njoftojnë mediat lokale.
Zjarret kanë detyruar evakuimin e dhjetëra familjeve në jug të Shqipërisë, konkretisht në Qarkun e Vlorës.
Ndërkohë, Qendra për Menaxhimin e Krizave në Maqedoninë e Veriut njoftoi se deri në orën 09:00 të ditës së sotme, në vend janë regjistruar 22 zjarre, prej të cilave 21 janë shuar dhe njëri mbetet aktiv, konkretisht në Parkun Nacional Jasen në pjesën perëndimore.
Më herët, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka zgjatur gjendjen e krizës për 30 ditë të tjera, për shkak të rrezikut të vazhdueshëm nga zjarret, duke ruajtur ndalimin e lëvizjes në pyje deri më 31 gusht.
Ditën e djeshme, Kosova raportoi përkeqësim të situatës me zjarret, duke kërkuar ndihmën e KFOR-it në shuarjen e tyre.
Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave njoftoi se vetëm brenda gjashtë orëve gjatë ditës, në vend u regjistruan 40 zjarre, nga të cilat 25 u lokalizuan.
Situata më kritike është regjistruar në fshatin Dumnicë të Podujevës, ku zjarrfikës nga Prishtina, Vushtrria dhe Mitrovica janë angazhuar intensivisht, ndërsa është kërkuar ndërhyrje ajrore nga KFOR-i, njoftoi Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave.