RAJONI
2 minuta leximi
Marta Kos: Shqipëria mund të bëhet anëtare e BE-së në vitin 2029
Kos nënvizoi se janë hapur dy kapituj të tjerë me Shqipërinë dhe u diskutua organizimi i festimeve, përfshirë një ndeshje futbolli mes vendeve anëtare dhe kandidate, ku pritet të marrë pjesë Presidenti i UEFA-s.
Marta Kos: Shqipëria mund të bëhet anëtare e BE-së në vitin 2029
Marta Kos: Shqipëria mund të bëhet anëtare e BE-së në vitin 2029 / TRT Balkan
10 orë më parë

Komisarja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, gjatë pjesëmarrjes në Forumin Strategjik në Bled të Sllovenisë, deklaroi se Shqipëria mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian në vitin 2029.

Kos nënvizoi se tashmë janë hapur dy kapituj të tjerë bisedimesh me Shqipërinë dhe u diskutua ideja e festimit të arritjeve, fillimisht në Bruksel dhe më pas në Tiranë, përfshirë edhe një ndeshje futbolli midis vendeve anëtare dhe vendeve kandidate, ku pritet të marrë pjesë edhe Presidenti i UEFA-s.

“Megjithatë, unë nuk kam shumë kohë, kam vetëm katër vjet, kështu që shpejtoni”, tha Kos.

Ajo shtoi se nëse aspekti teknik i bisedimeve përfundon deri në vitin 2026, në 2028 Bashkimi Evropian mund të ketë 28 anëtarë, ndërsa në 2029 mund të ketë 29 anëtarë me anëtarësimin e shteteve kandidate.

Komisarja përmendi gjithashtu një sondazh të BE-së, sipas të cilit 92 për qind e popullsisë shqiptare mbështet anëtarësimin në union.

Kos veçoi rëndësinë e lidershipit dhe angazhimit të udhëheqësve të vendeve kandidate në procesin e integrimit, duke theksuar se ky proces nuk mund të jetë i suksesshëm pa udhëheqës që vendosin reformat mbi punët e përditshme dhe dinë të zgjidhin çështjet dypalëshe.

Ajo shtoi se anëtarësimi nuk varet vetëm nga vendimet në Bruksel, por edhe nga mbështetja e publikut, parlamentit dhe shoqërisë civile. Kos theksoi se nuk ka rrugë të shkurtra për vendet kandidate dhe se zbatimi i reformave në fushat e sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut, luftës kundër korrupsionit dhe mediave të lira është i domosdoshëm.

“Gjeopolitika ka ndryshuar. Përballemi me forca të jashtme që duan të na shohin të dështojmë. Pamë çfarë ndodhi në Gjeorgji, dhe në fund të shtatorit do të kemi zgjedhje të rëndësishme në Moldavi, ku Rusia po përpiqet ta pengojë rrugëtimin evropian të qeverisë dhe qytetarëve”, shtoi Kos.

Fjala e saj u mbajt në panelin e liderëve me temën “Premtimi i Bledit: Ëndërr apo realitet?”, ku morën pjesë kryeministri Edi Rama, Robert Golob, kryeministër i Sllovenisë, Andrej Plenkoviq, kryeministër i Kroacisë, dhe Millojko Spajiq, kryeministër i Malit të Zi.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us