RAJONI
2 minuta leximi
Kryeministri Rama: Diplomacia të krijojë databazë me profesionistët shqiptarë në botë
“Nuk e kemi luksin që të mos kemi as dijeni për shqiptarët e shkolluar, për profesionistë e jashtëzakonshëm, që ne i kemi thuajse në të gjitha vendet e botës”, theksoi kryeministri Rama.
Kryeministri Rama: Diplomacia të krijojë databazë me profesionistët shqiptarë në botë
Kryeministri Rama: Diplomacia të krijojë databazë me profesionistët shqiptarë në botë / ATSh
8 Shtator 2025

Kryeministri i Shqipërisë u kërkoi sot ambasadorëve shqiptarë nëpër botë të kërkojnë dhe regjistrojnë në mënyrë të plotë komunitetet shqiptare kudo ku ndodhen.

Në fjalën e tij në konferencën 3-ditore të ambasadorëve shqiptarë nëpër botë, kryeministri Rama tha se është e papranueshme që një vend i vogël si Shqipëria të mos ketë një regjistër të përditësuar vazhdimisht me shqiptarë të cilët shkëlqejnë në profesionet e tyre, në vendet e huaja.

“Pjesëmarrja e shqiptarëve jashtë atdheut në zgjedhje forcon, jo thjesht rolin e tyre në aspektin e fuqisë vendimmarrëse në vend, por forcon edhe shkallën, nivelin e detyrimit tonë për t’iu shërbyer dhe për t’u organizuar me ta”, tha kreu i qeverisë shqiptare.

“Ne jemi një vend i vogël dhe ne jemi një popull i vogël që nuk e kemi luksin që të mos kemi as dijeni për burimet tona njerëzore jashtë vendit. Nuk e kemi luksin që të mos kemi as dijeni për shqiptarët e shkolluar, për profesionistë e jashtëzakonshëm, që ne i kemi thuajse në të gjitha vendet e botës”, theksoi kryeministri Rama.

Dhe minimalisht, shtoi kreu i qeverisë shqiptare, “dijeninë për ta, për ekzistencën e tyre duhet të na e garantojë shërbimi diplomatik. E pastaj natyrisht me këtë dijeni shumëçka tjetër mund të parafytyrohet dhe mund të ndërtohet”.

Në fjalën e tij, kryeministri i Shqipërisë nënvizoi se jeta në Evropë dhe kudo është shtrenjtuar, ndaj dhe nevoja për të pasur një trupë të motivuar është rritur. 

“Natyrisht, për ta përmbushur siç duhet këtë nevojë dhe për t’iu përgjigjur siç duhet sfidave dhe për ta shfrytëzuar potencialin që kemi duhet edhe një motivim më i madh financiar i trupës sonë të shërbimit të jashtëm”, u shpreh kryeministri Rama.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us